Zyberaj triumfon në maratonën Vodno-Matka, fitoren ia dedikon Bekim Shytit

Atleti nga komuna e Rahovecit, Erzen Zyberaj dje ka zënë vendin e parë në maratonën malore 40km në Vodno-Matka të Maqedonisë së Veriut. Zyberaj ka thyer edhe rekordin e mëparshëm të kësaj maratone, duke e përfunduar garën në kohë prej 4 orësh e 14 minutash.

Zyberaj, pas garës ka thënë se suksesi nuk është aksident. Ndërsa, fitoren ia ka dedikuar komandantit të UÇK-së, Bekim Shyti, i cili ditë më parë hoqi copëzat e granatës që i kishin mbetur në trup nga koha e luftës.

“Është punë e vështirë, këmbëngulje, mësim, studim, sakrificë dhe mbi të gjitha dashuri për atë që bëni apo mësoni të bëni. Sot në garën e vrapimit malor Vodno-Matka Trail Marathon në distance prej 40km me 2560D+, unë arrita të dal triumfues”, ka shkruar ai.


Suksesit të Zyberajt, i është gëzuar edhe i pari i komunës, Smajl Latifi, i cili ka thënë se ai është një djalë me shpirt luftarak, që angazhohet e punon me disiplinë, për t’i korrur sukseset si ky.

“Më gëzoi pamasë suksesi i atletit nga Drenoci i Rahovecit, Erzen Zyberaj, i cili në maratonën 40 kilometërshe të vrapimit malor në Vodno-Matka të Maqedonisë së Veriut, ka zënë vendin e parë dhe ka thyer rekordin, duke e përfunduar garën për 4 orë e 14 minuta. Erzeni është një djalë me shpirt luftarak, që angazhohet e punon me diciplinë, për t’i korrur sukseset e mëdha si ky sot. I dëshiroj suksese të reja në karrierën e tij si vrapues profesionist!”, ka shkruar Latifi.