“Zhurmë po, ankesa jo” – Kosovarët u ankuan veç katër herë në ministri për rritjen e çmimeve

Ngritja e çmimeve të jashtëzakonshme të rrymës dhe e produkteve të tjera bazike ka vështirësuar jetën e qytetarëve, për të cilët shteti ende nuk ka bërë sa duhet për mbrojtjen e tyre.

Kështu ka thënë Dardan Abazi hulumtues i lartë në Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në tryezën e diskutimit “Ngritja e çmimeve në treg dhe mbrojtja e konsumatorit”.

Madje Abazi theksoi se ankesat e konsumatorëve janë të shumta për rritje të çmimeve të pa paralajmëruar nga tregtarët, siç u shpreh ai në disa raste ka edhe dyshime për këto shtrenjtime për marrëveshje kartel.

Çuditërisht numri i ankesave nga konsumatorët që janë adresuar në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë(MINT)është tejet i ulët.

Sipas kësaj ministrie nga janari deri në shtator janë paraqitur vetëm 19 ankesa, derisa nga shtatori e deri tash kur janë rritë çmimet janë jo më shumë se 4 ankesa nga konsumatorët.

Këtë numër të pakët të ankesave, Udhëheqësi i Departamentit të Tregtisë, MINT Zef Dedaj ka thënë se qytetarët duket se janë të vetëdijshëm që këto rritje të çmimeve kanë ardhur si pasojë e importit të mallrave.

Dedaj në këtë tryezë theksoi se është evidente se ka rritje të çmimeve, të cilën ngritje ai e quajti si shqetësuese, por sipas tij kjo po diktohet nga importi i mallrave nga jashtë.

“Nëse ne po importojmë mallra kjo nënkupton që ne po importojmë edhe rritje të çmimeve. Fatmirësisht për rrymën nuk ka rritje. Sa i përket rritjes së çmimeve të karburanteve dhe të tjera kjo ka ndodhur dhe është vërtetuar nga ASK. Gjithsesi se është shqetësuese rritje e çmimeve për produkteve bazike, që bëjnë pjesë buka, vaj ushqimor, mishi dhe të tjerët”, tha ai.

Kryetari i OEK-ut Berat Rukiqi tha se kriza energjetike dhe rritja e çmimeve të rrymës ka prekur më së shumti bizneset.

Kreu i OEK, Rukiqi ka inkurajuar bizneset për rritjen e pagave për punëtorët, derisa theksoi se disa kompani veç janë duke bërë një gjë të tillë. /KP

Reklama