Zhuniqi zgjedhë asamblenë para ekzekutivit

Drejtori i deritanishëm i Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, Rumir Zhuniqi, ka njoftuar sot se ai nuk do të jetë më pjesë e institucioneve ekzekutive të Komunës së Rahovecit, pasi që ka vendosur të qëndrojë në Kuvendin Komunal.

Zhuniqi ka marrë votat e nevojshme në zgjedhjet e 17 tetorit për të qenë pjesë e Asamblesë.

Ai ka thënë se Kryetari Latifi ia ka ofruar postin e drejtorin edhe për një mandat të ri, por siç ka thënë ai, ka vendosur që në katërvjeçarin e ardhshëm të rrijë në asamble.

Zhuniqi ka shkruar:

Miq e bashkëqytetarë,

Procesi zgjedhor që përfundoi e dëshmoi punën e mirë që u bë në katër vitet e fundit në komunën tonë, sepse mbështetja u dyfishua për qeverisjen që drejtohet nga kryetari Smajl Latifi. Më shumë se për fitoren tonë, jam shumë i lumtur që pas këtij procesi zgjedhor, në Rahovec do të ketë një qeverisje të mirë edhe për katër vitet e ardhshme.

Si drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit për katër vitet e kaluara në Komunën e Rahovecit, ndjej përgjegjësi t’ju njoftoj se, përkundër ftesës nga Kryetari Latifi që të jem pjesë e ekzekutivit edhe për një mandat të ri, gjatë një bisede të ditëve të fundit që e kemi pasur, kam kërkuar nga ai që të më liroj nga detyrat në pjesën e ekzekutivit, në mënyrë që t’i përkushtohem Kuvendit Komunal, si asambleist i zgjedhur në zgjedhjet e 17 tetorit.

Arsyet lidhen me vullnetin dhe dëshirën time që të angazhohem në Kuvend, por edhe që të kem kohë t’i përkushtohem më shumë familjes, e veçanërisht Moreas, vajzës sime. Jam i bindur që si drejtor në Drejtorinë e Urbanizimit do të emërohet dikush me përgatitjet e nevojshme profesionale dhe etike, kështu që paraprakisht, pa e njohur ende pasardhësin/pasardhësen tim/e, ia shpreh gatishmërinë për bashkëpunim, në mënyrë që ta kap ritmin e punëve në drejtori.

E falënderoj Kryetarin Latifi për mirëkuptimin dhe – edhe një herë – të gjithë juve që më mbështetët me votë. Synimet e mia, të shprehura publikisht gjatë fushatës zgjedhore, do të jenë pjesë e angazhimit tim ditor jashtë e në Kuvendin Komunal të Rahovecit. Do të jemi së bashku për të krijuar punë e projekte të mira për Rahovecin edhe për një mandat.

Ju faleminderit!

Rumiri

Reklama