Zhuniqi kanidat për asambleist: Me Latifin është lehtë të punosh drejt dhe ndershëm

Drejtori i Urbanizmit, Rumir Zhuniqi, e ka shpallur kandidaturën për asambleist në Kuvendin Komunal të Rahovecit, duke thënë se për katër vitet që shkuan i ka shërbyet me dashuri dhe përkushtim qytetarëve të komunës së tij.

Ai e ka vlerësuar lartë kryetarin Smajl Latifi, duke thënë se është shembullor dhe kryetar që lehtëson punën e stafit komunal, kur prapa saj janë qëllimet e mira dhe të ndershme.

Zhuniqi, në një njoftim publik, ka thënë se kjo qeverisje i duhet komunës së Rahovecit edhe për katër vitet e ardhshme.

Ai ka shkruar:

Bashkëqytetarë,

Në zgjedhjet lokale të këtij 17 tetori, jam kandidat për Kuvendin Komunal, në listën e AAK-së që përfaqësohet nga kryetari shembullor i Rahovecit, Smajl Latifi. Gjatë katër viteve që shkuan, i kam shërbyer me shumë dashuri dhe përkushtim qytetarëve dhe Komunës, duke e mbajtur pozitën e drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit.

Kur punon afër dhe me Kryetarin Latifi, është lehtë të punosh drejt dhe ndershëm, sepse e merr të gjithë mbështetjen e nevojshme për t’i çuar përpara punët e mira. Me këtë qeverisje lokale, Rahoveci ka lëvizur. Puna e bërë në Komunën e Rahovecit, është e prekshme edhe për qytetarët, por e vlerësuar edhe nga organizatat që matin sukseset e pushtetit lokal.

Nuk kemi qenë asnjëherë qeverisje arrogante që sheh nga lartë qytetarët, por kemi qëndruar bashkë dhe mes tyre. I kemi zgjidhur shumë probleme, me qindra projekte të realizuara, duke bashkëqeverisur dhe duke i ndërtuar prioritetet pa hile.

Kjo qeverisje i duhet Rahovecit edhe për katër vitet e ardhshme. Ka shumë pasion për punë, por edhe ide kreative për projekte konkrete.

Më gjeni te numri 8!

 

Reklama