Zhuniqi i përgjigjet sulmeve: Ne punuam nga fillimi, por Vetëvendosjes i doli gjumi tani

Drejtori i Urbanizmit, Planifikimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Rumir Zhuniqi, i është përgjigjur një sulmi nga dega e Vetëvendosjes në Rahovec për një kritikë të publikuar lidhur me punimet që po zhvillohen në rrugën “Ali Sokoli”.

Vetëvendosje ka publikuar një komunikatë me titullin “Në Kandahar, jo në Rahovec”, duke kritikuar Komunën e Rahovecit për neglizhencë të kësaj pjese të qytetit dhe për pamje e kushte të rënda. Megjithatë, drejtori Zhuniqi ka thënë se në këtë pjesë po punohet dhe është normale që të shihen edhe këso pamje, përderisa ka akuzuar Vetëvendosjen se po shfrytëzon procesin e punimeve për të bërë propaganda.

Ai ka ftuar zyrtarët e VV-së që ta vizitojnë këtë rrugë pas kryerjes së punimeve, si dhe ka akuzuar partinë e Kurtit që në Rahovec është aktivizuar krejt vonë si opozitë.

Zhuniqi ka thënë se Vetëvendosje ka qenë në një gjumë të gjatë dimëror deri tani.

Reagimi i plotë:

Ne punuam nga fillimi, por Vetëvendosjes i doli gjumi tani

Komuna e Rahovecit është serioze dhe e përkushtuar që ta bëjë më të lehtë dhe më të mundshme jetën për secilin qytetar të komunës sonë. Kryetari Smajl Latifi dhe i gjithë ekipi komunal ka punuar pa ndalur që nga dita e parë e marrjes së mandatit për këtë qëllim. Dëshmi janë qindra projekte të realizuara dhe shumë çmime e grante që Komuna e Rahovecit i ka fituar si rezultat i angazhimit të madh për qytetin e fshatrat tona.

Pika e Lëvizjes Vetëvendosje në Rahovec është zgjuar më në fund nga gjumi i gjatë dimëror dhe i është kujtuar që duhet ta luajë rolin e opozitës. Mirëpo, duket se e ka zënë vona. Nga ngutia e madhe për të bindur qytetarët se brengoset për Rahovecin, së fundmi ka bërë disa sulme të improvizuara ndaj punës së Komunës së Rahovecit. I fundit sulm në formë propagande është një komunikatë e lëshuar me titullin “Në Kandahar, jo në Rahovec”, me disa fotografi nga rruga “Ali Sokoli” në pjesën e vjetër të qytetit, ku po punohet për rregullimin e rrugëve me gurë dhe infrastrukturën nëntokësore.

Duke përdorur pamjet e fazës së punimeve në këtë pjesë, kur është normale të krijohet baltë e papastërti (sidomos në këtë mot me shi), Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur Kandahar qytetin tonë, në vend se t’i gëzohet faktit se ky projekt i nisur në vitin 2017 nga qeverisja e atëhershme e PDK-së po përfundohet më në fund.

Komuna e Rahovecit është angazhuar dhe ka punuar gjatë gjithë kohës. E vetmja që ka ngritur zërin tani, kur po i afrohemi zgjedhjeve, është Lëvizja Vetëvendosje. Unë si drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, i ftoj zyrtarët e VV-së që ta vizitojnë këtë pjesë të qytetit kur të kryhen punimet. Rruga “Ali Sokoli” do të jetë edhe një vend tjetër që zyrtarët e aktivistët e kësaj lëvizje ta kalojnë kohën e lirë.

Kur kanë mbetur edhe rreth një vit deri në zgjedhjet e ardhshme komunale, AAK e Rahovecit me kokën lartë del në zgjedhje dhe kërkon votën e qytetarëve edhe për një mandat, duke qenë se ka përmbushur shumicën e premtimeve zgjedhore dhe është në fazë të përmbushjes së premtimeve të mbetura.

Reklama