Zgjedhen dy kopshtet më të mira dhe dy rrugët më të pastra në Rahovec

Për Ditën Botërore të Mjedisit, Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, ka dhënë mirënjohje për dy qytetarë që kanë mirëmbajtur kopshtet më së miri, si dhe për dy rrugët më të mirëmbajtura dhe më ekologjike.

Sipas drejtorit Rumir Zhuniqi, ky konkurs është shallur me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve për mbrojtjen e ambientit.

“Në Ditën Botërore të Mjedisit, Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, ka ndarë dy çmime që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ambientit, për të inkurajuar dhe vetëdijesuar qytetarët që ta ruajmë ambientin ku jetojmë. Çmimet janë ndarë në dy kategori, 1) për kopshtin më të rregulluar me llojllojshmëri të florës dhe 2) për rrugën më të pastër”, ka shkruar Zhuniqi.

Drejtori Rumir Zhuniqi, ka njoftuar për fituesit e këtyre çmimeve, në bazë të një konkursi që drejtoria e kishte shpallur më herët.

“Myrvete Shala-Vuçitërna nga Rahoveci dhe Ekrem Bytyqi nga Dejni, kanë fituar çmimin për kopshtet më të mira, ndërkaq dy rrugët “Xhelal Hajda-Toni” për kopaninë Eko-Regjioni dhe “Mihal Grameno” për kompaninë Eko-Drinia kanë fituar çmimin për rrugët më të pastra. Bëhet fjalë për njërën rrugë në Rahovec e tjetrën në Gexhë. Urime!”, ka shkruar ia në fund. /RahoPress/

Reklama