Zbulohet çmimi i darkës që Idriz Vehapi kishte shtruar për mësimdhënësit në vitin 2017 (Dok)

Fundi i vitit shkollor 2017 në Rahovec nuk mbaroi zakonshëm për mësimdhënësit.

Komuna kishte vendosur t’i “nderonte” me darkë të gjithë mësuesit e kësaj komune. E ky organizim komunës së Rahovecit i kishte kushtuar 3 mijë e 710 euro.

Më 29 maj 2017, Komuna e Rahovecit e kishte pakuar buxhetin e saj për 3 mijë e 710 euro, të cilat i kishte shpenzuar në darkën që kishte vendosur ta shtronte për mësimdhënësit.

Në faturën të cilën e ka siguruar KALLXO.com, figurojnë se të pranishëm në këtë darkë kanë qenë 530 persona.

Për një person çmimi kishte kushtuar 7 euro, ndërsa totali i darkës kapte shifrën e 3 mijë e 710 euro.

Sipas dokumentacionit, dreka është shtruar për të gjithë mësimdhënësit e kësaj Komune.

“Shpenzimet e ushqimit për takimin me të gjithë mësimdhënësit e Komunës”, thuhet në përshkrimin e shpenzimit.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në Komunën e Rahovecit për vitin shkollor akademik 2016/2017, kur edhe është mbajtur ky takim, si mësimdhënës kanë shërbyer 733 persona.

Mesimdhenesit ne Komunen e Rahovecit, viti akademik 2016/2017 Burimi: ASK
3 prej tyre të ciklit parashkollorë, 611 të ciklit fillor dhe të mesëm të ulët si dhe 115 tjerë të ciklit të mesëm të lartë.

KALLXO.com ka filluar publikimin e dosjes “Sa Han Kryetari”, ku do të bëhen publike shpenzimet për dreka dhe darka zyrtare të kryetarëve të komunave dhe zyrtarëve të tjerë.

Reklama