Zbulohet busti i dëshmorit të kombit Skender Kastrati në Malësi të Vogël

Sot në Malësi të Vogël, është zbuluar busti i dëshmorit të kombit, Skender Kastrati në oborrin e shkollës që mban emrin e tij. Dita e sotme ishte gjithashtu edhe ditë feste për shkollën.

Ndërtimi i këtij busti është realizuar nga Komuna e Rahovecit, ka njoftuar kryetari Smajl Latifi.

“Skender Kastrati ishte një luftëtar trim që u flijua më 26 gusht 1998, atëherë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Anadrin, kishte nevojë për armatime dhe municione, për fuqizimin e  organizimit dhe veprimit luftarak të saj kundër armikut. Malësia e Vogël, sikurse i gjithë Rahoveci, e ruan dhe e përkujton me krenari emrin e Skender Kastratit, i cili me veprën e tij atdhetare është përjetësuar në altarin e heronjve dhe dëshmorëve të kombit tonë. Ndihem i gëzuar që Komuna e Rahovecit pati mundësinë që ta realizojë ndërtimin e bustit të dëshmorit Skender Kastrati. Para këtij busti, do të përulemi me përkushtim për ta nderuar dhe lartësuar emrin dhe sakrificën e tij, për çdo ditë, muaj e vit”, ka shkruar Kryetari Latifi.

“Lavdi dhe nderime dëshmorit Skender Kastrati, si dhe të gjithë dëshmorëve dhe heronjve të kombit!”, ka shkruar në fund ai.