Yllka Gashi që luan rolin e Fahrije Hotit, zgjidhet aktorja më e mirë në Spanjë

Yllka Gashi me rolin e Fahrije Hotit në filmin “Zgjoi” ka marrë Çmimin për aktoren më të mirë në edicionin e 66-të të “Valladolid International Film Festival” në Spanjë, duke lënë prapa aktore që në sirtarët e tyre kanë trofetë kulmorë në kinematografi. Filmi, nën regji të Blerta Bashollit, ka marrë edhe çmimin “Fundos”. “Do ta përdor zërin tim sonte për të shprehur një ëndërr që unë si artiste kosovare dhe i gjithë populli im e kemi: që vendet tona të bukura, Spanja dhe Kosova, së shpejti të krijojnë lidhje diplomatike, që Spanja ta njohë Kosovën”, ka thënë Yllka Gashi e pranishme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, të shtunën.

I pandalshëm është “Zgjoi” i Kosovës. Titulli i këtij filmi është në mesin e fituesve të festivalit spanjoll “Seminci” në kategoritë kryesore. Aktorja Yllka Gashi ka marrë Çmimin për aktoren më të mirë, për portretizimin e Fahrije Hotit. Kurse filmi, nën regji të Blerta Bashollit, ka marrë çmimin “Fundos”, që festivali e jep për temën më të mirë sociale që shpaloset si projekt filmik, dhe për filmin që konsiderohet si frymëzim për ndryshime. Me këtë çmim përveç “Zgjoit” është nderuar edhe filmi “Writing with fire”.

“Valladolid International Film Festival” apo siç njihet ndryshe “Seminci” (Semana Internacional de Cine de Valladolid) është festivali i përvitshëm që mbahet në Valladolid të Spanjës. I themeluar në vitin 1956, “Seminci” ka arritur që të jetë një prej festivaleve kryesore ndërkombëtare dedikuar filmit në Spanjë.

“Zgjoi” shpalos rrëfimin e Fahrije Hotit dhe të grave nga Krusha e Madhe. Tregon rrëfimin e një gruaje që me gjithë pengesat krijon një jetë të re për veten e saj dhe për gratë e tjera.

Gashi, e cila ishte e pranishme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ka thënë se është nder të jetë aty, pasi ekipi ka pasur mjaft vështirësi shkaku i vizave.

“Si shtetas të Kosovës nuk mund të shkojmë në shumë vende të BE-së. Unë nuk e kisha këtë problem, por pjesa tjetër e ekipit e kishte prandaj u falënderohem organizatorëve të Festivalit që na e kanë bërë të mundur të jemi këtu”, ka thënë Gashi, e cila prej vitesh jeton në SHBA.

Suksesi i radhës i filmit “Zgjoi”: dy trofe nga festivali spanjoll “Seminci”

Në ceremoni ajo ka shprehur edhe një dëshirë. “Do ta përdor zërin tim sonte për të shprehur një ëndërr që unë si artiste kosovare dhe i gjithë populli im e kam: që vendet tona të bukura, Spanja dhe Kosova, së shpejti të krijojnë lidhje diplomatike që Spanja ta njohë Kosovën”, ka thënë Gashi në ceremoninë përmbyllëse, duke shtuar se të dyja vendet ndajnë më shumë të përbashkëta sesa ato që krijojnë ndasi. Ka nënvizuar se artistët janë ambasadorët dhe përfaqësuesit më të mirë të vendeve të tyre dhe se kanë në dorë një mjet të veçantë që mund ta përdorin për të luftuar për ndryshim dhe për ta ngritur zërin.

Ndër të tjera, gjatë ditës ajo ka treguar se u janë dashur dhjetë vjet për ta realizuar filmin.

“Është një histori e veçantë, specifike, e që ndodh në Kosovë, por është gjithashtu një histori universale që mund të frymëzojë këdo në botë, sepse tregon historinë e dikujt që vuan dhe ka nevojë për mjete për të kaluar këtë situatë e për të arritur qëllimet. Është një histori e vërtetë. Dhe më pëlqen që në filma mund të shohësh edhe gra të forta, jo vetëm viktima. Pra, të shohësh gra që janë të afta të marrin në dorë fatin e tyre. Ka qenë nderi i jetës sime ta luaja këtë rol dhe të nderoja Fahrijen”, ka thënë ajo gjatë pranimit të çmimit, të shtunën.

Gashi ka lënë pas aktore të njohura si Seidi Haarla, që portretizon një studente në filmin “Compartment number 6” nën regji të Juho Kurosmanen, që mori çmimin e publikut në Festivalin e Filmit në Cannes. Pastaj Maren Eggert që fitoi “Ariun e Argjendtë” në “Berlinale” për rolin e saj në “The Perfect Man”, nën regji të Maria Schrader. Kurse në vëmendje të jurisë ishte edhe aktorja Anamaria Vartolomei, për rolin e saj në “The Event” të Audrey Diwan, që fitoi “Luanin e Artë” në Festivalin e Filmit në Venecia.

Aktorja Yllka Gashi, regjisorja Blerta Basholli dhe producenti Yll Uka në konferencën për media në “Calderón Theater” në Valladolid, ku kanë shpalosur për media detaje për filmin “Zgjoi”

Drama e jashtëzakonshme e bazuar në ngjarje të vërteta të grave që kanë mbetur të veja për shkak të luftës, e të cilat luftojnë kundër patriarkatit, është filmi debutues i metrazhit të gjatë i regjisores Basholli. Me rastin e shfaqjes së filmit, në Spanjë ishte edhe regjisorja.

E shoqëruar nga aktorja Yllka Gashi dhe producenti Yll Uka, para tri ditëve, në konferencën për media në “Calderón Theater”, ajo shpalosi më shumë detaje për filmin që tregon rrëfimin e grave që kanë mbetur të veja gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe nisin një biznes të tyre duke u përballur me shoqërinë patriarkale.

“Para se të realizonim filmin, ne kemi kaluar shumë kohë me Fahrijen dhe me gratë e tjera në fshat. Çfarë ka ndodhur aty është shumë e vështirë, kanë humbur shumë njerëz, gratë kanë humbur familjarët e tyre, burrat, prindërit, fëmijët, miqtë…Ato po përpiqeshin të tejkalonin traumat dhe në të njëjtën kohë ato jetonin në një shoqëri patriarkale. Në jetën reale gjithçka ka qenë shumë më e vështirë se ajo që shihet në film, ishte shumë më e vështirë”, ka thënë Basholli.

Kurse Yll Uka ka thënë se gjatë dekadës së fundit kanë punuar shumë për të mbështetur projekte të ndryshme.

“Janë bërë shumë filma që po shënojnë suksese, po njihen dhe po marrin çmime nëpër festivale të ndryshme në gjithë botën. Në Kosovë ka shumë rrëfime interesante që duhet treguar, dhe kjo sikur ka hapur një derë. Për vitin e ardhshëm na është premtuar dyfishimi i buxhetit për filma, kështu që po jemi entuziastë”, ka thënë ai.

Kurse Çmimin e publikut në garën kryesore e ka fituar filmi “Seis días corrientes” nën regji të Neus Ballús. Pas tij, vota më së shumti ka pasur “Zgjoi”. Çmimin kryesor “Espiga de Oro” në “Seminci” e ka fituar filmi “Last film show” nën regji të Pan Nalin.

“Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, e nisi mbarë me tri çmime qysh në premierë botërore në shkurt – Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë dhe Çmimin e audiencës – në “Sundance Film Festival”. Që nga ajo kohë aty ku nuk u shpërblye, mori kritika pozitive. Tash “sezoni i vjeshtës” që konsiderohet edhe koha më e mirë për promovim, e gjen në festivale të ndrydhe ndërkombëtare.

Kandidati i Kosovës për “Oscar”, po ashtu, është përzgjedhur nga “European Film Awards” si një nga kandidatët për nominim për çmimet prestigjioze evropiane të kësaj akademie. Premiera kombëtare e filmit u dha më 24 gusht në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në kuadër të edicionit të 13-të të “PriFest”. “Zgjoi” ka nisur shfaqjen e tij në kinematë e vendit, kurse nga 5 nëntori do të shfaqet edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Reklama