Xhevdet Bajraj sonte te Soma në Prishtinë, muhabet e poezi me artdashësit

Sonte duke filluar nga ora 19:00, poeti i njohur Xhevdet Bajraj, do të jetë në lokalin “Soma” në Prishtinë, ku do të lexojë disa prej poezive të tij.

Sipas njoftimit nga organizatorët, disa prej poezive të tij do të interpretohen edhe nga Alketa Sylaj, ndërkaq për botimet e tij do të flasin edhe Zyrafete Shala dhe Berat Dakaj.

“Të premten kemi nderin t’ju prezantojmë njërin nga poetët ma t’sinqertë të letërsisë së shkruar në Shqip. Mbrëmjen e fillojmë me disa fjalë nga Shkelzen Maliqi i cili do t’flet për kohën, inspirimet, stilistikën dhe zhvillimet poetike të Xhevdetit.  Një pjesë e shkrimeve do të lexohen nga Alketa Sylaj me interpretim në Shqip dhe Spanisht. Pas leximit mbramja vazhdon me muzikë të përzgjedhur që do të luhet nga pllakat e gramafonit. Xhevdet Bajraj – U lind me 6 mars në Kosovë. Është poet dhe përkthyes. Ka disa çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Poezia e tij krahas përfshirjes nëpër antologji të ndryshme në gjuhën shqipe, spanjolle, serbe dhe angleze, është përkthyer në disa gjuhë të huaja. Në Meksiko Siti (Meksikë) jeton nga viti 1999, ku shkoi me bursën e Parlamentit Ndërkombëtar të Shkrimtarëve. Ka nënshtetësi Meksikane dhe nga viti 2002 punon si profesor në Akademinë e Krijimtarisë Letrare në Universidad Autónoma de la Ciudad de México (UACM), ku ligjëron disa lëndë mbi poezinë. Që nga viti 2016 merr bursë nga Sistemi Kombëtar i Krijimtarisë Artistike (meksikane), SNCA”, thuhet në njoftim.

Reklama