Xhavit Haliti: Nëse Kurti është më i fuqishëm se ShBA e BE, le ta ndalë dialogun me Serbinë

Të martën më 15 qershor do të mbahet takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ky takim shënon edhe rifillimin e dialogut Kosovë- Serbi. Për herë të parë Kurti në cilësinë e kryeministrit do të ketë një takim ‘kokë më kokë’ me presidentin serb, Vuçiq, për çështjen e dialogut.

Vet Kurti në fillim të mandatit kishte thënë se dialogu nuk do të jetë prioriteti kryesor i tij.

Në partinë më e madhe opozitare në vend, PDK, thonë se Kurti i ka letrat në tavolinë se çka ka më iu propozu.

“Nëse Albin Kurti është më i fuqishëm se dy supërfuqitë botërore ai mund ta ndaloj dialogun, por problem është se Kurti i ka letrat në tavolinë se çka ka me ia propozu. Mbasi po e bën lojën e një politikani që të thotë nesër unë e bëra, por nuk e bëra siç donin ata ta bënin. Sidoqoftë dialogu duhet të behet, dialog do të të thotë bisedime me palët. E mirë është se në mes të dialogut janë vendet mike dhe besoj se askush me dhunë nuk do ta detyroj të nënshkruaj asgjë”, ka thënë deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti për “Indeksonline”.

I pyetur se a mund ta përmbyllë Kurti i vetëm dialogun mes dy vendeve, Haliti thotë se Kushtetuta e Kosovës ia ka dhënë të drejtën kryeministrit me udhëheq me negociata dhe është problem i tij a e merr dikend ose jo në takime ose a e konsulton dike ose jo.

“Ne jemi republikë parlamentare dhe të gjitha marrëveshjet duhet miratohen në Kuvend, nëse vendoset diçka që nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, atëhere parlamenti e bën të vetën e shkarkon jo kryeministrin, por edhe Presidentin dhe këdo që e shkelë kushtetutën”, ka theksuar Haliti.

Ish nënkryetari i Kuvendit në disa legjislatura thotë se deri tani përveç deklaratës dhe krekosjes nga kjo qeveri nuk ka parë ndonjë veprim konkret sa i përket premtimeve që kanë dhënë në fushatë.

Reklama