VV nis punën për shkarkimin e bordit të RTK-së, e çon në Kuvend për votim

Rekomandimi për shkarkimin e Bordit të RTK-së do të shkojë në Kuvend. Kjo pasi Komisioni për Media me 6 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim e ka votuar rekomandimin e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere për shkarkimin e këtij bordi.

Ky vendimi Komisionit i shkon Kryesisë së Kuvendit.

Kryetarja e Komisionit, Doarsa Xhelili-Kica ka thënë se Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i ka rekomanduar këtij komisioni të iniciohet shkarkimi i anëtarëve të Bordit të RTK-së për shkak të paaftësisë së tyre profesionale, bordi i ri të jenë personalitete me integritet të lartë dhe të iniciohet plotësim ndryshimi i Ligjit për RTK-në.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se në Komisionin për Buxhet e kanë shqyrtuar me kujdes çështjen financiare, dhe sipas tij, të gjeturat që i kanë pasur nga auditori nuk kanë qenë të theksuara që të ketë shkarkim.

“Në fillim Komisioni për Buxhet dëshiruan të bëjnë vetë inicimin por ua tërheqë vërejtjen se Komisioni për Media është adekuat për një inicim të tillë. Mbetet në kompetencën e deputetëve të vendosim për një shkarkim të tillë. Sigurisht që e dimë që RTK ka ngecje të mëdha por besoj që të gjeturat nuk kanë qenë që të kemi një shkarkim të tillë. Në plotësimin e ligjit për RTK-në janë shumë dakord që të ketë ndryshime sidomos në aspektin menaxherial . Kemi mangësi te pjesa ku nuk ka kritere të rëndësishme që ta bëjnë një mbikëqyrje më të mirë të RTK-së, nuk ka kriter të zgjedhjes së një anëtari të bordit me përvojë menaxheriale, kjo për mua është mangësi. Ka vullnet për shkarkim dhe ne e dimë që ky shkarkim është për çështje politike por sidoqoftë është në vullnetin e shumicës”, ka thënë ai.

Deputeti i LDK-së, Agim Veliu ka thënë se nuk është bërë vlerësim meritor i bordit edhe pse ai bord ka edhe lëshime.

Ai thotë se këto rekomandime janë veprime politike dhe kanë për qëllim kapjen e një mediumi që është publik e që duhet të jetë i pavarur.

“Rekomandimet që i jep komisioni për mua nuk janë ndihmese. Te rekomandimi i dytë, komisioni nuk do të duhej të jepet rekomandim në këtë formë sepse besoj që ata të cilët pretendojnë të jenë anëtarë të një bordi kanë edhe kriteret ligjore që duhet t’i plotësojnë. Fakti i shkarkimit të tërësishëm të bordit mendoj që është dashur të bëhet vlerësim për secilin anëtar të bordit se ndoshta dikush prej tyre ka pasur performancë të mirë. Është tërësisht veprim politik e keni shumicën mund ta bëni por për mua kjo formë është e papranueshme”, ka thënë ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani ka deklaruar se Bordi i RTK-së dhe bordet paraprake nuk e kanë kryer detyrën si duhet, duke shtuar se ka çështje që duhet të merret prokuroria.

“Të gjithë të dimë që RTK-ja është e kapur dhe ajo ka nevojë për reformim. Jam për që kjo iniciativë të përcillet në Kuvend dhe Kuvendi të vendosë për këtë dhe njëherë e përgjithmonë, ky transmetues publik të fillojë të reformohet dhe të japë llogari në fund. Qe 6 vjet nuk kalon raporti i përformancës në këtë Komision, ka tejkalim të buxhetit dhe nuk është dhënë strategji se si RTK-ja të dalë nga ky kolaps”, ka thënë ai.

Për deklarimet për shkelje dhe keqpërdorime brenda RTK-së, deputeti Lushtaku ka thënë se Prokuroria duhet të merret dhe t’i japë “fund debatit që ka hajni dhe vjedhje”.

“Nëse ka hajni e keqpërdorime, drejtojuni prokurorisë. Është vështirë që një politikan ta luajë rolin edhe të politikanit edhe të prokurorit edhe të gjyqtarit. Shpresoj që keni për t’i shkarkuar dhe bordin e ri nëse i bëjnë të njëjtat shkelje”.

Reklama