Vuçiq niset drejt Brukselit: Takimi me Kurtin asnjëherë nuk është i këndshëm

Shkuarja në Bruksel për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, presidentit të Serbisë Aleksandër Vuciq nuk i duket fare e këndshme.

Kështu ka bërë të ditur Vuçiq përmes një deklarate të publikuar në Instagram.

“Asnjëherë nuk është veçanërisht e këndshme të udhëtosh, apo të qëndrosh në Bruksel, kur je duke biseduar me përfaqësuesit e Kosovës. Megjithatë për Serbinë është e rëndësishme për shkak se përmes kësaj ne i ndihmojmë popullit tonë, ruajmë paqen dhe stabilitetin të cilët janë qenësor për zhvillimin e mëtutjeshëm të ekonomisë në gjithë Serbinë” ka shkruar Vuçiq.

Ai më tutje në një foto që ka publikuar ku shihet se para vetes ka disa letra, ka thënë se dorëzimi nuk është një opsion.

“Në aeroplan, gjithmonë, ashtu si në ditët e studentëve, azhurnoj materialin dhe përgatitem për takime të vështira. Dorëzimi nuk është një opsion!” ka shkruar mes tjerash ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen sot për herë të dytë në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Reklama