Vuçiq ironizon: Kurti po na i zgjidhë edhe zhvillimet tona të brendshme

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ironizuar duke thënë se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është duke ia zgjidhur Serbisë edhe zhvillimet e saj të brendshme.

Ai ka thënë se Kurti ka treguar se si duhet të duket Serbia e kush duhet të jetë në krye të saj.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar thellë zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë.

Vuçiq është përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në atë se si komenton presionin e ri që po i bëhet Serbisë nga Kosova dhe Washingtoni dhe njoftimet për një platformë të re për vazhdimin e dialogut.

“Unë e shoh që Albin Kurti gjithashtu po zgjidh edhe zhvillimet tona të brendshme, duke folur se si duhet të duket Serbia dhe kush duhet të jetë në pushtet. Ndaloni, heshtni, lërini ata, ata të gjithë janë të fortë dhe të zgjuar. Ne do t’i lëmë ata që të bëjnë punën e tyre, ne do të bëjmë punën tonë. Ne e dimë se cili është interesi ynë nacional dhe do të vazhdojmë të luftojmë për popullin tonë dhe të drejtat e tyre”, ka thënë Vuçiq, raporton Tanjug.

Vuçiq ka folur në mëngjesin e sotëm ndërsa Serbia ka pranuar një kontingjent prej 150 mijë vaksinave anti-COVID të AstraZenecas.

Reklama