Vritet roja i pyllit në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, njofton se personi që u gjet i vdekur mbrëmë në afërsi të liqenit të Badovcit, ishte inskpektor i pyllit në Prishtinë.

Ahmeti transmeton informacionet e Policisë se ‘inspektori u qëllua me armë zjarri’.

“Lajm i rëndë! Mbrëmë Drejtoria e Inspekcionit është lajmëruar se është gjetur vetura e braktisur/hapur e njërit prej inspektorëve më të vjetër të pyllit të Komunës së Prishtinës N. Rr. në afërsi të Badovcit. Fatkeqësisht, pas arritjes së policisë është gjetur edhe trupi i pajetë i të ndjerit, i vrarë me armë zjarri, në zonën që e ruante si roje pylli. Trupi është përcjellë në Mjekësinë Ligjore ndërsa policia po zhvillon hetimet rreth rastit. Familjes i shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe si Komunë do të ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira. Nga Policia kërkojmë që sa më parë të zbardhet rasti dhe kryesit e veprës të sillen para drejtësisë. Ky rast edhe njëherë dëshmon rrezikun me të cilin përballen Inspektorët e Komunës”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ndryshe, Policia njoftonte se një person është gjetur i vdekur mbrëmë rreth orës 21:50 minuta në afërsi të Liqenit të Badovcit.

Viktima është gjetur në një pyll në rrugën Graçanicë – Gjilan.

“Mund të ju konfirmoj që me datë 18.12.2019, rreth ores 21:50, në një distancë nga rruga  Graçanicë- Gjilan, në pyll është gjetur një person vdekja e të cilit është konfirmuar nga ekipi i ambulantes. Njësitet policore jane duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të hetuar dhe sqaruar rrethanat e këtij rasti”, ka njoftuar zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha.

Reklama