Vjosa Osmani injoroi ceremoninë e marrëveshjes historike Kosovë-Izrael

Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani nuk ka qenë e pranishme në ceremoninë, pas nënshkrimit të marrëveshjes diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit.

Pas ceremonisë virtuale, në një ambient me flamuj të Kosovës dhe Izraelit, por edhe flamurin e SHBA-së, janë parë duke festuar kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ambasadori amerikan, Philip Kosnett, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla.

Por aty nuk u pa Vjosa Osmani, i pranishëm në këtë ceremoni ishte vetëm këshilltari i saj, Faton Peci.

Nuk dihen arsyet se pse Osmani nuk mori pjesë në këtë ceremoni tejet të rëndësishme për shtetin e Kosovës.

Ndërkohë, para ceremonisë së nënshkrimit zyra për media e Presidencës ka lëshuar një komunikatë për media.

Siç thuhet në komunikatë, Osmani ka përshëndetur aktin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit.

“U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës. Dr.Vjosa Osmani përshëndetë aktin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Izraelit, ceremoni kjo që pritet të mbahet sot. Marrëdhëniet ndërmjet dy popujve tanë kanë qenë historikisht të fuqishme e të bazuara në solidaritet dhe miqësi. Akti i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike hapë rrugën për thellimin e bashkëpunimit dypalësh ndërinstitucional si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët”, thuhej në komunikatë.


Të hënën, më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, formalizuan vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.

Reklama