Veliu thotë se me VV-në nuk kanë biseduar ende për ndarjen e bordeve publike

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka deklaruar se gjatë ditës sotme nuk pritet të takohen me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për të diskutuar mbi mundësitë e formimit të koalicionit qeverisës, pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Veliu për KosovaPress i mohon gjitha zërat se ‘mollë sherri” në diskutimet e tyre janë bërë ndarja e bordeve dhe agjencive të ndryshme, por duke mos i mohuar mundësinë e tillë, thotë se ende nuk kanë arritur deri në atë pikë të diskutimit.

“Jo as që e kemi diskutuar atë, ne jemi vetëm në kuadër të parimeve që i kemi vendosur në fillim të bisedave. Asgjë tjetër, as që kemi diskutuar ndonjë herë as për borde, as për agjencione. Faktikisht nuk kemi arritur ende deri atje”, thotë nënkryetari Veliu.

Krahas kësaj, nënkryetari i LDK-së thotë se janë në pritje të VV-së për me ofruar një zgjidhje, derisa thekson nevojën e një qeverie të balancuar.

“Ne jemi në pritje që ata me ofru një zgjidhje mbi situatën që është krijuar. Ne kemi parime tona, dëshirojmë një qeveri të barabartë dhe të balancuar”, thotë ai.

Në fillim të kësaj javë dy liderët Kurti e Mustafa kanë pasur tri takime të njëpasnjëshme, por pa arritur të gjejnë një zgjidhje deri marrëveshjes bashkëqeverisëse.

Derisa sot presidenti i Kosovës i ka dërguar sërish një letër, kryetarit të VV-së, njëherit pretendentit për kryeministër, Albin Kurti për ofrimin e emrit për mandatar.

Reklama