Vdekjet nga koronavirusi në Kinë shkojnë në 811, virusi merr emrin zyrtar

Numri i vdekjeve nga epidemia e koronavirusit të ri në Kinë është rritur në 811 të dielën, duke tejkaluar numrin e vdekjeve globale nga epidemia SARS më 2002/2003 dhe duke rritur shqetësimin në mesin e njerëzve që po përgatiten të kthehen në punë pas pushimit të gjatë të Virit të Ri Hënor në Kinë.

Nën betejën për të frenuar përhapjen e sëmundjes, autoritetet u kanë thënë bizneseve të zgjasin pushimet për 10 ditë, pushim i cili është dashur të përfundojë në fund të janarit, tani që numri në rritje i vdekjeve dhe i të infektuarave ka pushtuar vendin, raporton Reuters.

Shumë qytete kineze janë shndërruar në qytete fantazma gjatë dy javëve të fundit, në kohën kur Partia Komuniste e Kinës ka urdhëruar mbyllje virtuale, ka anuluar fluturimet, ka mbyllur fabrikat sikurse edhe shkollat, transmeton Koha.net.

Edhe të hënën, shumë vende pune pritet të mbesin të mbyllura dhe shumë punëtorë do të vazhdojnë të punojnë nga shtëpia.

Vdekjet e djeshme arritën një rekord të ri ditor me 89 viktima, të dhëna këto të publikuara nga Komisioni Kombëtar Shëndetësor.

Ndërkaq, numri i të infektuarve të shtunën shënoi rënien e parë që nga 1 shkurti, duke rënë në 2,656 raste, nga 3000 sa ishin një ditë më parë. nga to, 2,147 raste ishin në provincën Hubei.

Numri totalë i të infektuarve të konfirmuar në Kinë ka shkuar në 37,198.

Virusi është shpërndarë në 27 vende e rajone, sipas një llogaritjeje të Reutersit bazuar në raportet zyrtare, duke infektuar më shumë se 330 persona. Dy vdekje janë raportuar jashtë territorit të Kinës – në Hong Kong dhe në Filipine. Të dy viktimat ishin shtetas kinezë.

Ndërkaq, Komisioni Shëndetësor Kombëtar i Kinës të shtunën tha se e ka emëruar virusin si “pneumonia e re koronavirus”. Ndërkaq, në anglisht do t’i referohet si “novel coronavirus pneumonia” apo “NCP”.

Reklama