Vaksinimi në Kukës, Zemaj falënderon Shqipërinë – kritikon ndërkombëtarët

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e ka falënderuar Qeverinë e Shqipërisë për vaksinimin e një numri të konsiderueshëm të mjekëve kosovarë kundër COVID-19 në Kukës.

Përmes një komunikate të dërguar nga Ministria e Shëndetësisë, Zemaj ka kritikuar ndërkombëtarët për “solidaritetin” e proklamuar prej tyre për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19.

“Në kohën kur institucionet e ndryshme ndërkombëtare, të cilat gjatë gjithë pandemisë shteteve të Ballkanit u kanë mbajtur ligjërata për ‘qasjen dhe mundësitë e barabarta’ dhe kur ‘solidariteti’ i proklamuar prej tyre për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 është tretuar nga “nacionalizmi” i vaksinave, ndihma e Shqipërisë për Kosovën, ka peshë edhe më të madhe dhe tregon se edhe të vegjlit mund të ja dalin kur punojnë së bashku dhe nuk u mungojnë vlerat”.

Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë:

Falënderim nga Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, z. Armend Zemaj

Prishtinë, 21 mars, 2021

Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës falënderojmë Qeverinë e Republikës së Shqipërisë  dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale, përkatësisht kryeministrin Rama dhe ministren Manastirliu, për mundësinë që u dhanë një numri të konsideruar të profesionistëve shëndetësor nga Kosova që të vaksinohen kundër COVID-19 në Kukës.

Gjithashtu, një falënderim i veçantë edhe për profesionistët shëndetësor të Shqipërisë që me etikë dhe profesionalizëm të lartë administruan dhënien e vaksinave tek kolegët e tyre kosovarë përgjatë këtyre dy ditëve, bashkë me të gjithë ata që kontribuon në realizimin e vaksinimit (Ambasadorin Hasani, FSSHK-në, etj.), që si akt, përtej çdo simbolike, tregon rëndësinë e bashkëpunimit midis dy shteteve në funksion të mbrojtjes sa më adekuate kundër COVID-19.

Në kohën kur institucionet e ndryshme ndërkombëtare, të cilat gjatë gjithë pandemisë shteteve të Ballkanit u kanë mbajtur ligjërata për “qasjen dhe mundësitë e barabarta” dhe kur “solidariteti” i proklamuar prej tyre për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 është tretuar nga “nacionalizmi” i vaksinave, ndihma e Shqipërisë për Kosovën, ka peshë edhe më të madhe dhe tregon se edhe të vegjëlit mund të ja dalin kur punojnë së bashku dhe nuk u mungojnë vlerat.

Jam i bindur se profesionistët shëndetësor nga Kosova do ta vlerësojnë gjithmonë këtë kontribut të Qeverisë së Shqipërisë.

Falënderimi më i mirë nga ana e tyre është kujdesi që ata kanë treguar dhe po tregojnë  gjatë gjithë këtyre muajve të pandemisë për qindra pacientë me Covid-19  nga zonat e veriut të Shqipërisë, të cilët në Spitalin e Prizrenit, Spitalin e Gjakovës, por edhe në QKUK, gjetën një trajtim sa profesional, aq edhe vëllazëror.

Reklama