Ulen temperaturat, nga nesër pushojnë reshjet e borës

Edhe sonte priten reshje lokale bore të shoqëruara me erëra të forta dhe ftohta veriore.

Masa e ftohtë ajrore me origjinë polare ka përfshirë rajonin tonë duke kushtëzuar reshje bore dhe ulje të ndjeshme të temperaturave. Erërat veriore po shtojnë dukshëm ndjesinë subjektive të të ftohtit polar.

Gjatë dy ose tre ditëve të ardhshme pritet stabilizim gradual i motit dhe njëkohësisht edhe kthjellim i pjesërishëm. Gjatë kohës kur pritet të ketë kthjellime atëherë acari mund të jetë edhe më i fortë, ndërsa nëse mbeten vranësira të pjesshme që parashikohen në disa rajone atëherë presim acar pak më të butë, megjithatë mbetet mjaft ftohtë në të gjitha opcionet e mundshme. Kjo valë e të ftohtit është jashtëzakonisht e mirëseardhur në Janar për arsye të pastrimit të ajrit dhe me shpresë (eventualisht) për mos zgjatjen e dimrit kur vjen pranvera.

Temperaturat pritet të ulen nëpër ultësirat e Kosovës deri afërsisht -12 gradë Celsius, ndërsa në viset malore mund të ulen deri në -18 gradë Celsius. Në Rrafshnalten e Peshterit (jugperëndim të Serbisë) ajo mund të ulet deri në -22 gradë Celsius.

Mëngjesi më i ftohtë pritet të jetë mëngjesi i së enjtes dhe eventualisht edhe mbrëmja e së enjtes dhe mëngjesi i së premtës, por pastaj pritet zbutje e përkohshme e acarit polar.

Sipac ecurive aktuale sinoptike reshje të reja bore priten rreth datës 18 ose 19 Janar. /MeteoBallkan

Reklama