Ulen temperaturat, kështu do të jetë moti sot

Sot në Kosovë do të mbajë mot tërësisht i vranët dhe me reshje lokale bore. Reshje kryesisht të dobëta bore dhe me erëra veriore herë pas here do të ketë nëpër ultësira (jo në tërë territorin), ndërsa reshje pak më intensive bore do të ketë në viset kodrinore-malore dhe jug të Kosovës. Temperaturat do të shënojnë ulje.

Në Shqipëri do të mbajë mot me intervale kohore me diell, vranësira dhe kryesisht i thatë. Në verilindje, disa pjesë në lindje, juglindje dhe në ndonjë rajon në qendër mund të ketë reshje të herëpashershme bore të cilat do të jenë kryesisht të dobëta dhe do të koncentrohen në viset malore.

Në Maqedoninë Veriore pritet të mbajë mot me vranësira. Në veriperëndim, veri, verilindje dhe viset malore herë pas here mund të ketë reshje bore. Në Mal të Zi nesër pritet mot i ndryshueshëm, në jug pa reshje, ndërsa në veri të vendit me reshje bore dhe erëra të ftohta veriore.

Mot i ngjashëm sikur në përshkrimin më lartë do të mbajë edhe të dielën me ulje të mëtutjeshme të temperaturave dhe fuqizim të mëtutjeshëm të erërave veriore dehe verilindore. Masat e ftohta ajrore me origjinë polare nga Siberia do të vazhdojnë të depërtojnë në tërë rajonin.

Nga e hëna reshjet do të pushojnë por do të jetë shumë ftohtë dhe me acar, kurse ditën e fundit të vitit do të ketë ngritje afatshkurtër të temperaturave, megjithatë do të mbetet ftohtë veçanërisht gjatë natës dhe në mëngjes. Erërat do të pushojnë por pritet të rikthehen pas mesnatës./Meteoballkan

Reklama