
Sot është shënuar Flaka e Janarit, ku u kujtuan dhe nderua jeta dhe vepra e heronjve Nesim Elshani, Halim Hoti, Agron Fetahu dhe Hilmi Krasniqi, të cilët kanë rënë gjatë demonstratave për liri, në Brestoc, më 27 janar, 1990.
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, i ka bërë një dedikim të veçantë kësaj date.

Ai ka thënë se muaji janar shënon rënien dhe humbje të mëdha për popullin shqiptar.
“Lufta e popullit shqiptar për liri e bashkim nuk ka pushuar ndër shekuj, sepse pushtuesit zëvendësonin njëri-tjetrin. E populli ynë luftoi e qëndroi për të mbijetuar në trojet e të parëve. Natyrshëm që kur ka luftëra e përballje me armiqtë e atdheut, atëherë domosdo ka edhe heronj”, ka shkruar ai.
Shënimi i plotë:
JANARI I PËRFLAKUR SHQIPTAR
Në kuadër të Flakës së Janarit, kujtuam dhe nderuam sot jetën dhe veprën e heronjve Nesimi Elshani, Halim Hoti, Agron Fetahu dhe Hilmi Krasniqi, të cilët ranë gjatë demonstratave për liri, në Brestoc, më 27 janar të vitit 1990!
Janari shënon muajin e rënieve e humbjeve të mëdha të popullit shqiptar. Është edhe muaji kur në zemrat tona është ndezur më fuqishëm flaka e shpirtit liridashës.
Lufta e popullit shqiptar për liri e bashkim nuk ka pushuar ndër shekuj, sepse pushtuesit zëvendësonin njëri-tjetrin. E populli ynë luftoi e qëndroi për të mbijetuar në trojet e të parëve. Natyrshëm që kur ka luftëra e përballje me armiqtë e atdheut, atëherë domosdo ka edhe heronj.
Skënderbeu ishte ndër më të mëdhenjtë e epokës së qëndresës kundër pushtimit osman. Lufta dhe qëndresa e shqiptarëve të bashkuar nën flamurin e kryetrimit Skënderbeut, u bë frymëzim për breza të shumtë. Fama e tij pushtoi Evropën dhe Azinë, ndërsa bëmat e tij, për breza të tërë u bënë flamur betejash për liri e bashkim. Zemra e tij pushoi së rrahuri më 17 janar të viti 1468, por jehona e thirrjeve të tij për liri e bashkim jehoi thekshëm ndër shekuj. Ky frymëzim erdhi deri në kohën tonë. Nuk do të ketë qëndrestar shqiptar që nuk do ta ketë emblemë në zemër dhe nxitje figurën e madhe të tij.
Po në këtë rrugëtim do të bien në Gjermani, më 17 janar 1982 edhe vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe bashkëluftëtari i tyre Kadri Zeka, e më 11 janar 1984 në Prishtinë, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Edhe këto rënie qenë të bujshme, ngase lëvizja ilegale e kohës kishte nisur të marrë shtrirje dhe përmasa. Kjo i shqetësonte tej mase armiqtë e lirisë tonë, prandaj ua prenë rrugën në mes.
Edhe këto vrasje nuk e topitën tehun e përpjekjeve për liri. Varret e tyre u bënë vend pelegrinazhi, ku atdhetarët betoheshin se do të vazhdonin luftën për liri deri në fitore.
Sakrifica më sublime që një luftëtar mund ta bëjë për Atdheun është flijimi i jetës për liri!
Përjetë krenar me bashkëluftëtarët heronj, që nderuan tokën me 1999 si Skënder Rexhepin – Hekuri, i rënë me 21 janar dhe Fitim Durakun – Fita, i plagosur rëndë atë natë e që ndërroi jetë me 4 prill.
31 vjet më parë, në vazhdën e qëndresës së vazhdueshme, bijat dhe bijtë e kësaj ane u mblodhën dhe me idealin e lirisë në gji u nisën drejt përjetësisë më 27 janar të vitit 1990. Marshi nisi nga Celina, ku Agron Fetahu i organizoi vetëm më të pjekurit për të kërkuar zëshëm që Kosova të jetë Republikë. Në Nagac e priste Nesimi Elshani, luftëtar i paepur i lirisë, që i organizuar në radhët e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, ju priu në ballë të kolonës masës së njerëzve të mllefosur me padrejtësitë e pushteti serbo-jugosllav. Plagët i mori në gjoks, sepse ai gjithmonë i vuri gjoksin furtunës sa herë që atdheu e kërkoi.
Krahas dëshirës së madhe për të qenë të lirë, kishin mësimet e vyera të profesorit e atdhetarit të nderuar Ukshin Hoti, që u bë simbol i rezistencës dhe frymëzues i masave të popullit.
Rruga e tyre u ndërpre me zjarr e me hekur në Brestoc. Gjaku skuqi tokën e begatë, kurse jehona e krismave ushtoi në dekada. Sa shumë gjak u derdhë atë ditë. Ranë Nesimiu, Agroni, Ilmiu e Halimi, ndërsa u plagosën dhjetra të tjerë. Por, ai gjak nuk shkoi kot. Ata ishin të lidhur qetësisht me tokën e të parëve dhe gjakun që kjo tokë të pastër ua dha, të kulluar ia kthyen. E donin të ardhmen për fëmijët e tyre e për fëmijët e fëmijëve të tyre, por pa pushtuesin mbi kokë.
Thirrjet e tyre për liri e dinjitet kombëtar, bënë që organizimi i rezistencës të mos topitet, përkundrazi të kërkohen forma të tjera të organizimit.
Ajka e atdhetarizmit, profesori, intelektuali e politologu Ukshin Hoti ishte ideator i kësaj lëvizjeje gjithëpopullore e që ndezi peshë zemrat djaloshare. Ai frymëzoi djelmoshat e Lëvizjes ilegale për hapat që duheshin ndërmarrë dhe mënyrën e realizimit të aspiratave shqiptare. Ata e dëgjuan thirrjen e Ukshin Hotit që, “pa humbur kohë duhet të formohen Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës”.
Kjo kërkesë largpamëse u bë udhërrëfim i Lëvizjes Ilegale të kohës që nxiti themelimin e njësiteve të armatosura guerile, që më pas do të sillnin deri te formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Krijimi i UÇK-së dhe grupeve të tjera të armatosura me ide çlirimtare, burim kishin këto rënie dhe këtë gjak të derdhur. Tashmë jemi dëshmitar të kohës se, kjo luftë u kurorëzua me fitore, ndërsa ne mund të nderojmë e kujtojmë të rënët tanë në paqe e me dinjitet. Kjo na shërben për të vazhduar rrugën e tyre, në ngritjen e kombit në nivelet e merituara të përfaqësimit kombëtar e ndërkombëtar. Dhe ne u jemi përherë borxhlinj atyre që ranë për lirinë e këtij vendi.
Ndërsa sot e kemi obligim moral e atdhetar që të punojmë ndershëm dhe me përkushtim për të mirën e përgjithshme. Udhërrëfim kemi jetën dhe veprën e dëshmorëve tanë, të atyre që e vulosën fatin e këtij populli me gjakun e tyre.
Dhe, sa herë të takohemi në përvjetorë të tillë në mendje na bien porositë e atyre që u flijuan për të ardhmen e këtij vendi: “Të ruajmë e lartësojmë gjakun e derdhur për liri të trojeve shqiptare dhe të jetësojmë amanetin e gjithë asaj plejade të heronjve që ranë për këtë ideal”.
Nderim e respekt i përjetshëm për vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën, Rexhep Malën e Nuhi Berishën, Fitim Durakun e Skënder Rexhepin, Sahit Krasniqin, e lavdi dëshmorëve që ranë në ballë të demonstratës në Luginën e Brestocit; Nesimiu, Agroni, Ilmiu e Halimi!
Lavdi e përjetshme të gjithë atyre që u flijuan për këtë tokë të shtrenjtë!
