Thuaju atyre në Hagë…

Shkruan: Avni Morina

Çlirimtari ynë!
Kryetari ynë!

Ti sot po nisesh për të shkuar në Hagë, ku të ftuan dhomat e specializuara, të cilat janë mbarsur me lloj lloj shpifjesh e intrigash të kurdisura nga ata që nuk e deshën kurrë lirinë tonë kombëtare.

Po thonë se të kanë ftuar të dëshmosh për periudhën e luftës çlirimtare, të cilën ata nuk e kanë pranuar asnjëherë si të tillë dhe ti çlirimtari ynë, ke mjaft se çfarë t’u thuash atyre.

U thuaj atyre në Hagë se ti vjen nga një vend i gjakosur. Nga një vend, i cili pagoi çmimin më të lartë për liri!
Thuaju atyre në Hagë se ti vjen nga Rahoveci heroik dhe i martirizuar, që dha shumë heronjë e dëshmorë, për lirinë e atdheut!

U thuaj atyre në Hagë se ti vjen nga Krusha e Madhe, e masakruar, e djegur dhe e përvëluar nga kriminelët çetnikë!
U thuaj atyre në Hagë se ti vjen nga Pastaseli, Fortesa, Celina, Opterusha e Xërxa, u thuaj se vjen nga Dejni, Ratkoci, Kramoviku, Malësia e Vogël e Zatriqi!
U thuaj atyre në Hagë se ti vjen nga Nagavci, Hoça e Vogël, Brestoci e Retija, Drenoci, Pataqani, Nashpalla, Gexha, Çifllaku, Vrajaka, Senoci, Kazniku, Bratatini, Dobidoli, Mrasori e Patoku!

Thuaju atyre në Hagë se ti vjen nga të gjitha vendet e komunës së Rahovecit të lara me gjak, në këto vende ku nga kriminelët çetnikë janë vrarë fëmijë, pleqë e plaka, djem e vajza të reja, janë vrarë e torturuar, janë djegur të gjallë dhe janë masakruar!
U thuaj atyre në Hagë se 20 vite pas luftës kemi sa e sa të zhdukur pa gjurmë, të cilët vetëm një faj patën: “ATA DESHËN LIRINË!

Thuaju atyre se ti je njërj prej tyre, që deshe lirinë e popullit tënd dhe luftove për të!

Ti do të kthehesh faqebardhë,
Çlirimtari ynë!
Kryetari ynë!

Reklama