Thirrja e fundit e Vetëvendosjes: LDK, nuk kemi kohë për të humbur – eja ta bëjmë Qeverinë

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga LDK-ja reflektim para seancës konstituive, ku të dy partitë kanë njoftuar se do të shkojnë pa marrëveshje, raporton Gazeta Express.

Deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci gjatë kohës sa LDK po mban mbledhjen e kryesisë ka kërkuar nga partia e Isa Mustafës që të marrin vendime në të mirë të vendit.

“Dua të besoj se në LDK ka të tillë që e duan ndryshimin e menjëhershëm që i nevojitet vendit. Dua të besoj se deklarimet elektorale s’kanë qenë farsë e fjalë koti. Dua të besoj se ka zëra e mendje racionale që marrin vendime në të mirë të vendit. Këta zëra duhet t’i dëgjojmë sot, tani. Pres që diskutimet të jenë të bazuara në interesin e vendit. E interesi i vendit është krijimi i menjëhershëm i institucioneve, hapja rrugë profesionistëve e vendosja e standardeve të reja në qeverisje, në udhëheqje, në drejtësi, gjithandej në shoqëri”, ka shkruar ajo.

Tutje, Nagavci thotë se nuk ka kohë për të humbur, e se ka akoma kohë para fillimit të seancës.

“Nuk kemi kohë për të humbur, nuk kemi luksin të dekurajojmë rininë e as nevojë të mobilizohemi dhe një herë për zgjedhje.

Energjia që do të shpenzohej për të na sjellur në të njejtën situatë, ku LV! del sërisht e para, ( edhe pse me siguri me numër më të madh të deputetëve) do duhej orjentuar në mirqeverisje që tani. Kemi shumë punë përpara.

Ka kohë akoma deri te fillimi i seancës. Pas kësaj vazhdohet me tjera afate. Ne jemi për të gjetur zgjidhje, por jo përtej çdo racionaliteti”, ka shkruar deputetja.

Reklama