Themelohet mediumi më i ri në Rahovec “RahoPress”

Sot nis punën portali më i ri “RahoPress’’. I projektuar si ide nga një grup entuziastësh të gazetarisë, RahoPress synon që të ofrojë informacione të shpejta e të sakta për zhvillimet në komunën e Rahovecit dhe më gjerë, duke mos lënë anash as temat nacionale si dhe lajmet nga bota.

Portali RahoPress do të raportojë për tema politike, për ekonominë e bujqësinë, kulturën e artin, sportin e fusha të tjera që u interesojnë qytetarëve të Rahovecit.

Përveç raportimit, RahoPress do të synojë që të organizojë edhe intervista e reportazhe me figurat publike të komunës së Rahovecit, duke nisur nga politikanët në qeverisje e ata në opozitë, artistët, bujqit e sportistët e suksesshëm, pa ndikime e anshmëri të çfarëdollojshme.

Portali RahoPress në interes të parë do t’i ketë nevojat e qytetarëve, prandaj ne inkurajojmë qytetarët e komunës sonë që pa hezitim mediumin më të ri ta shohin si një dritare ku ata mund të shprehin brengat e interesat e tyre për ta bërë më të mirë qeverisjen, ambientin, bujqësinë, ekonominë dhe përgjithësisht kualitetin e jetës së tyre.

Ftojmë lexuesit që t’i bashkohen këtij projekti që në fillimet e veta mund t’i jetë i kufizuar për nga kapacitetet, por që do të zhvillohet mëtej me insistim në angazhim e korrektësi, ndryshe nga disa portale militanteske që tashmë veprojnë në qytetin tonë, duke mbrojtur qëllimet e agjendat e veçanta politike të grupacioneve dhe interesave klanore.

RahoPress zotohet që angazhimin medial do ta zhvillojë me korrektësi të plotë, duke respektuar etikën gazetareske profesionale, ndërsa projektit modest në të ardhmen do t’i shtojmë kualitetin dhe kapacitetin.

Na priftë e mbara!

Reklama