Thaçi i jep Kurtit afat 48 orësh për nominimin e kryeministrit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka bërë të ditur se i ka dhënë liderit të VV-së, Albin Kurti 48 orë afat për nominimin e kryeministrit.

“Kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjor”, ka shkruar Thaçi.

Ai ka thënë se takimi me Kurtin ishte përpjekje për të implementuar rezultatin zgjedhor të Zgjedhjeve të Përgjithshme të 6 tetorit të vitit të kaluar.

“Tashmë është bërë hapi i parë i rëndësishëm i konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për çka përsëri i përgëzoj deputetët e Kuvendit të Kosovës. Nevoja e formimit të Qeverisë është jetike për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Z. Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje. Si president i vendit do ta ushtroj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ruajtjes dhe kultivimit të unitetit politik e qytetar dhe orientimit euroatlantik të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Reklama