Thaçi i bie pishman, shkarkon këshilltarin që ishte i lidhur me UDB-an pas raportimit në media

Zyra e Presidentit ka konfirmuar se ka liruar nga detyra e këshilltarit politik të Thaçit, Branislav Nikoliqin.

“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës konfirmon se nuk ka pasur asnjë informacion paraprak dhe zyrtar nga institucionet e sigurisë në Kosovë për përfshirjen e mundshme të Branislav Nikoliqit në aktivitete të dyshimta, për të cilat është raportuar në media”, thuhet në komunikatë.

Përkundër kësaj, Zyra e Presidentit thotë se i merr seriozisht raportimet e mediave për përfshirjen e mundshme Nikolicqit në aktivitete të dyshimta, qofshin ato të natyrës kriminale ose që cenojnë sigurinë kombëtare.

“Nisur nga parimi i respektimit të ligjit dhe për t’i dhënë hapësirë autoriteteve të sigurisë që të kryejnë hetime të pavarura për këtë rast, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, ka liruar sot nga detyra e Këshilltarit Politik, Branislav Nikoliq”, thuhet në komunikatë​.

Thaçi mbetet i përkushtuar në avancimin e të drejtave të komuniteteve joshqiptare dhe përfaqësimit të tyre në të gjitha nivelet e qeverisë qendrore dhe lokale, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Rasti konkret është thjesht çështje e sundimit të rendit dhe ligjit.

Reklama