Tensioni shpërtheu pasi që ministrja Gërvalla ua tha këto fjalë deputetëve të PDK-së

Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, ka reaguar lidhur me Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës ku po mbahet seanca plenare.

Gërvalla-Shwarz tha se korrupsioni s’është shpikje e Qeverisë por e PDK-së.

“Korrupsioni, po iu drejtohem juve deputetëve të PDK-së. Korrupsioni nuk është shpikje e jona e as narrative e Serbisë, por realitet i hidhur i qytetarëve të Republikës së Kosovës. Qeveria jonë është zgjedhur për të luftuar krimin e korrupsionin e instaluar më së shumti nga ju, nga PDK, kjo është pika 1. Ju jeni përgjegjës për instalimin e korrupsionit dhe është detyra jonë luftimi i korrupsionit. E vërteta i bën nder gjithkujt”, tha ajo.

Tutje, ajo shtoi se Gjykata Speciale s’është pikur nga qielli, por është votuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

“E dyta, Gjykata Speciale, mos më pengoni, s’është e instaluar nga Serbia, Gjykata Speciale është e instaluar nga ju, pse është e instaluar nga ju, sepse, ju ju vetëm që nuk e keni luftuar, por s’keni ndërmarrë asgjë për gjykimin e krimeve të pasluftës, por, ju jeni munduar, kështu ta evitoni gjykimin e krimeve në Kosovë, dhe ju jeni ata që e keni bërë të mundur atë, dhe ju e keni votuar Gjykatën Speciale. Gjykata Speciale nuk ka pikur nga qielli, ky koalicion s’e ka krijuar atë. Ju merrni me sajime, gënjeshtra, pikërisht ju jeni përgjegjës që prijësit e juaj ndodhën në Hagë, mos i mashtroni votuesit tuaj, ju e di që ju keni kohë, por ne nuk kemi. Si ministre e Punëve të Jashtme, unë jam zotuar që interesat e Republikës së Kosovës t’i përfaqësoj në mënyrën më të denjë të mundshme në arenën ndërkombëtare, se po të dinit më mirë ju do e kishit bërë të kaluarën”, tha Gërvalla.

Reklama