Temperaturat e larta, Drejtoria për Shpëtim kërkon nga rahovecasit kujdes të shtuar nga shkaktimi i zjarreve

Për shkak të temperaturave të larta të ditëve të fundit dhe rrezikut nga zjarret, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Komunës së Rahovecit, ka apeluar te qytetarët e Rahovecit që të kenë kujdes nga shkaktimi i zjarreve.

Drejtoria ka kërkuar që të mos shkaktohen zjarre në mjedise të hapura duke i ndezur hamullaret e stërnishtet. Po ashtu në thirrjen publike thuhet se pronarët e shfrytëzuesit e objekteve dhe hapësirave të ndryshme janë të detyruar të fikin zjarret nëse vërejnë se ka filluar djegia.

Thirrja e plotë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim

Pasi që jemi në muajt e temperaturave të larta dhe thatësisë së theksuar ekziston rreziku i shpërthimit të zjarreve në terrene të hapura dhe përhapjes së shpejtë e të pakontrolluar të zjarreve.

Apelojmë te qytetarët e Komunës së Rahovecit që në këtë kohë mos të shkaktojnë zjarre në mjedise të hapura duke i ndezur hamullaret, stërnishtet në fushë dhe duke u bërë shkaktarë të përhapjes së zjarreve në pyjet dhe shtëpitë të cilat janë të kufizuara me ara të korrura.

Pronarët, shfrytëzuesit e objekteve, pjesëve të objekteve dhe hapësirave, si dhe çdo person i cili e vëren rrezikun e drejtpërdrejtë nga shkaktimi i zjarrit, është i obliguar të mënjanojë rrezikun, respektivisht ta fikë zjarrin. Nëse nuk mund të bëjë këtë i vetëm, është i obliguar të informoj stacionin më të afërt të zjarrfikjes dhe shpëtimit, stacionin më të afërt policor apo qendrën operative emergjente me numrin 112.

Çdo person që do të evidentohet si shkaktar i qëllimshëm i zjarrit do të ndëshkohet dhe do të ndërmirren masat ligjore.

Kërkojmë nga qytetarët e komunës tonë që gjatë kësaj kohe, në çdo situatë t’iu ikin përdorimit të zjarreve të hapura dhe ndezjes së mbeturinave nëpër prona private.

Nëse paraqitet nevoja e ndezjes së zjarreve në hapësira të hapura, së pari, duhet të siguroheni që zjarri nuk do të përhapet, ose paraprakisht të informoni njësinë zjarrfikëse për t’i ndërmarr masat preventive për parandalimin e përhapjes së zjarrit.

Në të gjitha institucionet, ndërmarrjet prodhuese e tregtare, pompat e benzinës dhe vendet ku depozitohen karburante mjete të tjera ndezëse, të rritet gatishmëria e plotë e mbrojtjes nga zjarri, për ruajtjen e pasurisë dhe jetës së njerëzve.

2 korrik 2019, Rahovec

Reklama