Te Lapidari i Dëshmorëve në përkujtim të 23-vjetorit të Masakrës së Rahovecit

Sot Rahoveci kujton masakrën e 23 vjetëve më parë.

Për të nderuar të gjithë të rënët, kryetari i Rahovecit Smajl Latifi, bashke më shumë qytetarë e familjarë të dëshmorëve, kanë qëndruar te lapidari i dëshmorëve të atdheut.

Latifi ka thënë se gjaku i derdhur i bashkëluftëtarëve në luftimet e korrikut 1998 në Rahovec është gjak i kuq lirie.

Latifi ka shkruar:

Sot, në praninë e bashkëluftëtarëve, familjarëve të dëshmorëve dhe qytetarëve, shënuam 23 vjetorin e përjetësimit, te lapidari i dëshmorëve të atdheut: Agim Çelaj-Pejë, Sadik Shala-Kleçkë (Malishevë), Hamdi Berisha-Gurbardh(Malishevë), Bajram Veliu-Rahovec, Afrim Krasniqi-Bardh (Malishevë), Liman Gegaj-Fshati i Ri (Malishevë),Faik Rama-Rahovec.

Gjithashtu, sot është edhe përvjetori i hyrjes në pavdekësi i luftëtarit të njohur, dëshmorit të kombit Gëzim Hamza-Piktori.

Gjaku i derdhur i bashkëluftëtarëve në luftimet e korrikut 1998 në Rahovec, është gjak i kuq lirie. Lufta për mbrojtjen e Rahovecit, bashkoi luftëtarë nga Rahoveci, Malisheva, Suhareka, nga Drenica e Dukagjini. Luftimet ishin të ashpra, heroike dhe tē përgjakshme.

Vërtet, në këto luftime humbëm shumë bashkëluftëtarë trima të sprovuar në beteja e qytetarë të paarmatosur, por pesha dhe roli i UÇK-së dhe lufta jonë kundër pushtuesit ishte e gjallë, rezistenca jonë ishte e fortë dhe rruga e lirisë kërkonte nga ne çmimin e lartë të gjakut.

Epopeja e UÇK-së në Rahovec, në ato ditë të nxehta korriku, u shkrua me gjak, shembuj heroizmi e përkushtimi të UÇK-së e shqiptarëve liridashës, atyre që ia kthyen gjoksin furtunës, për ta ndalur, për ta goditur e për ta përzënë nga ky truall pushtuesin barbar serb.

Lavdi përjetë trimave që ranë me 19 korrik 1998!

Lavdi të gjithë atyre që ranë në Epopenë e UÇK-së të korrikut 1998!

 

Reklama