Tahiri: Mos ta shtrijmë dorën e lëmoshës, jemi të gatshëm për konsensus nacional për rrymën

Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar qartësi nga Qeveria e Kosovës për zgjidhjen që do t’i japë situatës me energjinë elektrike në vend.

Ai në seancën që po mbahet në Kuvend, ka thënë se sot është folur shumë në seancë lidhur me temën, por sipas tij, me këtë deputetët kanë dalë nga tema kyçe, ajo për energjinë në Kosovë.

Tahiri ka kërkuar qartësi për veprimet që do të ndërmarrë Qeveria në nivel afatshkurtër dhe afatgjatë. Ndërkaq, ka theksuar se kur flitet për energjinë elektrike dhe kërkesën e Qeverisë për ruajtjen e rrymës, duhet të merret parasysh aspekti i sigurisë.

“Qeveria ka kërkuar ndalni dritat, pyetja është a jemi në Kuvend, kush e merr përgjegjësinë nëse ndodhë një vjedhje serioze në Kuvend në dokumente në mbrëmje, kur kamerat e sigurisë nuk e evidentojmë një hajn. A e merr Qeveria, policia te dera apo kryetari i Kuvendi apo sekretari. Kush e merr përgjegjësinë në të gjitha institucionet publike”, ka pyetur ai.

Tahiri e ka vlerësuar të gabuar kërkesën për dorëheqje të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Tha se duhet dorëheqja e të gjithë kabinetit qeveritar.

“Kërkesa për dorëheqje të ministres është gabim dhe jo e drejtë sepse kjo ka marrë një detyrë që po mundohet ta kryejë. Nëse kërkohet dorëheqje, duhet të kërkohet dorëheqje tek organi kolektiv, te Qeveria sepse është ajo që e ka ndërruar bordin”.

“Llogaridhënia është tek organi kolektiv”, shtoi Tahiri.

Tahiri ka thënë se si parti opozitare janë të gatshëm për konsensus me Qeverinë për zgjidhjen e problemit me energjinë elektrike.

“Ajo që ne kërkojmë prej këtij debati është e thjeshtë, mos na bini punën me shtru dorën me lypë lëmoshë, po na bie ta falënderojmë kryeministrin Edi Rama. Së pari qeveria nuk ka marrë asnjë vendim, ka bërë një postim që ka thënë se do t’i shikojë të gjitha mundësitë për t’i ndihmuar për vitin e ri, për dy ditë. Nëse keni nevojë, energjia nuk është as e një partie, as e një qeveria, është e jona, jemi të gatshëm të ndërtojmë një konsensus nacional për këtë temë”.

Reklama