Sulm me thikë në një xhami në Tiranë, 5 të plagosur

Imami i xhamisë që gjendet në Rrugën e Kavajës, Ahmed Kalaja, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e sotme në kryeqytet, ku pesë persona u sulmuan me thikë në këtë kult fetar.

Në një video në mediat sociale, Kalaja tregon se personi, që tashmë është arrestuar, Rudolfi Nikolli, është futur në xhami dhe ka qëlluar me thikë disa besimtarë dhe disa persona që kanë qenë në rrugë.

Më tej Kalaja shpreson që kjo ngjarje të mos ketë qenë një sulm terrorist, por një akt i momentit i një  personi që nuk është mirë mendërisht.

“Sot pasdreke nga ora 2 ka ndodhur një akt barbarie pranë xhamisë “Dine Hoxha”, një njeri i armatosur ka goditur besimtarët brenda xhamisë, por ka goditur dhe njerëzit që kanë qenë në rrugë. Faleminderit Zotit që personi është arrestuar, situata është nën kontroll dhe nuk ka asnjë për t’u shqetësuar. Shpresojmë që të mos ketë qenë ndonjë akt terrorist, por të ketë qenë një njeri me të meta mendore”, tha ai.

Ditën e sotme në xhaminë ‘Dine Hoxha’ një 34-vjeçar ka plagosur me thikë 5 besimtarë myslimanë teksa ishin duke u falur. Ngjarja ndodhi tek rruga e Kavajës rreth orës 14:00./opinion.al

Reklama