Stafi shëndetësor hezitoi të merrte vaksinën e “AstraZenecas”, tash fluks për “Pfizer”

Kanë mjaftuar vetëm dy ditë që mbi 1 mijë doza të vaksinës së kompanisë “Pfizer” të shpenzohen. Edhe gjatë së enjtes pati fluks të madh të personelit shëndetësor nga e tërë Kosova, që kishin ardhur për ta marrë këtë vaksinë. Vetë ata ankoheshin se po u duhej të prisnin gjatë.

Brenda vetëm dy ditësh, mbi një mijë profesionistë shëndetësorë e kanë marrë vaksinën anti-Covid të kompanisë “Pfizer”. Vaksinimi në Kosovë rifilloi të mërkurën, me 4 mijë e 680 dozat e kësaj kompanie, të pranuara nga Bashkimi Evropian dhe me stafin shëndetësor kategori parësore për vaksinim.Sipas përgjegjësve të vaksinimit në qendrën “1 Tetori”, ka pasur një fluks të madh të personelit shëndetësor.

“Fluksi i profesionistëve shëndetësor është shumë i madh njëjtë siç ka qenë edhe dje, por sot po e shohim një fluks më të madh. Mund të them që është një rritje më e madhe, por jo që ka ndonjë ndryshim marramendës, sepse nëse u referohemi statistikave në ditën e parë, të dytë dhe të tretë edhe te AstraZeneca, mund të kemi një rritje të lehtë prej 5 %”, ka thënë menaxheri i kësaj qendre, Niman Bardhi.

Ndërkohë, ata që u vaksinuan, ankoheshin se duhej të prisnin gjatë. Disa prej tyre tregonin se kishin hezituar ta merrnin vaksinën e “AstraZenecas”, e të tjerët arsyetoheshin se kanë pasur probleme shëndetësore.

Kosova është ndër vendet ku më së paku qytetarë në botë janë vaksinuar kundër COVID-19, shkaku se ende nuk ka ardhur sasi e madhe e dozave të vaksinave.

Në dërgesën e parë të COVAX-it erdhën 24 mijë doza të “AstraZenecas”, ndërsa u bë e ditur nga institucionet shëndetësore se edhe doza të tjera përmes këtij mekanizmi pritet të vijnë gjatë javës së ardhshme.

Megjithëkëtë, Kosova është e renditur në mesin e shteteve ku qytetarët më së paku preferojnë të marrin vaksinën kundër COVID-19. Si është bërë e ditur nga sondazhi i kompanisë amerikane analitike Gallup, vetëm 32 për qind e kosovarëve preferojnë të vaksinohen.

Sondazhi i Gallupit i vitit 2020, tregon se 56 për qind e kosovarëve kanë thënë se nuk duan të marrin vaksinën anti-COVID. Gallupi ka bërë sondazh në 116 shtete.

Reklama