Sot u shënua 12 Maji, Dita e Dëshmorëve në komunën e Rahovecit

Sot shënohet 12 Maji, Dita e Dëshmorëve në komunën e Rahovecit, një datë që shënon shumë momente të rëndësishme të luftës për çlirimin e Kosovës në Anadrini.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi me bashkëpunëtorë, ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve dhe përmendoret e tyre.

“Janë të pavdekshme veprat e dëshmorëve të kombit”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i Latifit:

NË KUJTIM TË 12 MAJIT HISTORIK

Homazhe te varret dhe përmendoret e tyre kudo në komunë.

Me 12 maj 1998, krisi fort dhe jehoi thekshëm gjithandej pushka e parë çlirimtare në Anadrini;

Me 12 maj 1998, me luftë i detyruam forcat pushtuese serbe të tërhiqen me humbje dhe me turp e të ndiqen deri matanë Gradishit;

Me 12 maj 1998  në fushë të nderit ranë dëshmorët e parë të lirisë, MILAIM  KRASNIQI dhe ELMI MORINA, u plagosën bashkëluftëtarët Osman Zyberaj, Myfterem Gashi, si dhe luftëtari i orëve të para, tashmë dëshmori LULZIM SH. HOTI, i cili si pasojë e plagëve që mori, pas luftës, ndërroi jetë. Një vit më vonë, më 12 maj 1999 ra si bien trimat, pishtari i lirisë, heroi BEDRUSH GASHI.

“12 maji” është ditë e mobilizimit të liridashësve anadrinas dhe një moment i kapërcimit (nga ilegalja në legale), në një fazë të re, i luftës sonë çlirimtare;

“12 maji” është ditë e krenarisë, sakrificës dhe dhimbjes sonë për gjakun e derdhur;

“12 maji” është dita e fillimit të fundit të epokës së territ të robërisë;

“12 maji” është dita e dëshmorëve të kombit të Brigadës 124 ” Gani Paçarizi;

“12 maji” është datë që s’do të harrohet!

—-

Janë të gjalla kujtimet për 12 majin!

Janë të pavdekshme veprat e dëshmorëve të kombit dhe rrugëtimi luftarak e jetësor i tyre!

Nderim e mirënjohje gjithë atyre djemve e burrave, nënave, motrave e vëllezërve atdhetarë, të cilët në kohën kur jetuan dhe vepruan, vendosën një gur në kalanë e çlirimit të atdheut, duke e ndërtuar atë me mund, djersë dhe jetë në etapa të ndryshme historike.

Lavdi!

 

 

 

Reklama