Sot takohen partnerët e koalicionit për përçarjet dhe postin e presidentit

Partnerët e koalicionit LDK, AAK dhe NISMA-AKR, sot në orën 15:00 pritet të takohen.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka njoftuar se temë diskutimi do të jenë zhvillimet e deritashme në procesin e dialogut dhe pritjet për takimin e radhës në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator.

Por, pritet të diskutohet edhe për postin e presidentit. Për këtë post ka shprehur interesim kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e së fundi edhe LDK-ja si partneri kryesor në Qeveri. Të paktën kështu ka deklaruar të dielën ministri i Infrastrukturës dhe zyrtari i lartë i kësaj partie, Arban Abrashi.

Në takim pritet të marrin pjesë, pos kryeministri Hoti dhe krerët e AAK-së, Haradinaj dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj.

Posti i presidentit pritet të mbetët i lirë më së largu në pranverë kur e kryen mandatin 5-vjeçar Hashim Thaçi, por mund të mbetet edhe më herët në rast se konfirmohet aktakuza ndaj tij nga Specialja.

Së fundi, mes partnerëve të koalicionit janë shfaqur shumë përçarje për tema të ndryshme, sidomos mes LDK-së dhe AAK-së.

Reklama