Sot takohen Haradinaj e Merkel, Kryeministri tregoi se për çfarë do të bisedojnë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj po qëndron në Berlin në vizitë njëditore ku do të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Siç deklaroi vet Haradinaj, ky takim ka për qëllim thellimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Gjermanisë.

“Bashkëpunimi i bazuar në besim është i domosdoshëm në rrugëtimin e Kosovës për zhvillim ekonomik, integrime evropiane dhe në fushën e sigurisë. Gjermania vazhdon të jetë një ndër partnerët kryesorë të Kosovës dhe përkrahja e tyre është jetike në arritjen e objektivave tona të përbashkëta”, tha Haradinaj.

Përpos kancelares Merkel, Haradinaj pritet të takojë edhe kryetarin e Bundestagut, Wolfgang Schauble, deputetë të të gjitha grupeve parlamentare dhe pritet të marrë pjesë në konferencën “Takimet ndërkombëtare” si në lutjet e mëngjesit në Berlin.

Ndryshe, kryeministri Haradinaj ka mbërritur në Berlin gjatë ditës së djeshme ku është pritur me ceremoni ushtarake. Ai është i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Reklama