Sot konstituohet Kuvendi

Konstituimi i legjislaturës së tetë, ku pritet të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, do të bëhet sot në orën 10:00.

Sipas njoftimit të administratës së Kuvendit, pikë e parë do të jetë formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, për t’u pasuar me betimin e deputetëve. Seanca konstituive do të përmbyllet me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit.

Edhe pse janë premtuar veprime të shpejta në konstituimin e Kuvendit për t’i hapur rrugë votimit të kabinetit qeverisës, një gjë e tillë nuk është e sigurt. Kjo, për shkak të mosmarrëveshjeve mes komuniteteve joserbe, disa prej të cilave ende nuk janë përcaktuar nëse do të jenë pjesë e Qeverisë apo e opozitës.

Për pasojë, ato nuk kanë një marrëveshje për emrin që duhet ta propozojnë për nënkryetar të Kuvendit, i cili u takon në bazë të Kushtetutës.

Legjislatura nuk konsiderohet e konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetarët.

Ndërkaq, një proces votimi zhvillohet në pako për nënkryetarët e propozuar nga partitë e komunitetit shumicë, kurse votimi i dytë bëhet për dy nënkryetarët e tjerë – atë serb dhe nënkryetarin që propozohet nga komunitetet e tjera jo serbe.

E, votimi për kryetarin e Kuvendit bëhet veçmas.

E drejta e propozimit të kandidatit i takon partisë fituese dhe ai pritet të jetë Glauk Konjufca nga Vetëvendosje.

Nuk dihet nëse edhe Qeveria do të votohet të hënën dhe se kush do ta ushtrojë detyrën e presidentit, pas zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri.

Por zyrtarë të Vetëvendosjes kanë lënë të kuptohet se kryeparlamentarja aktuale, Vjosa Osmani, do të vazhdojë ta ushtrojë detyrën e kreut të shtetit dhe se zgjedhja e Qeverisë do të bëhet para zgjedhjes së presidentit.

Reklama