Sot ditë zie në Kosovë në nderim të policit Sami Thaqi

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas rënies në krye të detyrës të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Sami Thaqi, e ka shpallur ditën e sotme (e enjte, 30 janar 2020), ditë zie, në shenjë nderimi shtetëror.

Në pajtim me legjislacionin në fuqi, në ditën e zisë, të shpallur për ta nderuar jetën dhe veprën e policit Sami Thaqi, flamuri shtetëror ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, transmeton Klan Kosova.

Gjatë ditës së djeshme (e mërkurë), presidenti Hashim Thaçi ka ndarë edhe urdhrin “Hero i Kosovës” për policin Sami Thaqi.

“Heroizmi i Samiut, Enverit, Izetit dhe i dhjetëra policëve të rënë në krye të detyrës është krenari e Republikës së Kosovës. Sakrifica e tyre në mbrojtje të rendit dhe ligjit na obligon që të punojmë edhe më shumë për një Kosovë të qetë e stabile dhe një vend më të mirë për gjithë qytetarët tanë”, ka thënë kreu i shtetit.

Reklama