Sot ditë shumë e ftohtë, temperaturat thellë në minus

Sot në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht stabil, por mjaft i ftohtë sidomos në mëngjes. Temperaturat gjatë mëngjesit të hershëm pritet të ulen deri në -10 gradë Celsius, madje në viset malore deri në -15 gradë Celsius. Gjatë ditës priten alternime mes vranësirave dhe intervale kohore me diell dhe njëkohësisht temperaturat maksimale pritet të luhaten nga 1 deri në 4 gradë Celsius.

Në Shqipëri dhe tërë rajonin tonë  pritet të mbajë mot kryesisht stabil dhe i ftohtë. Mëngjesi pritet të kushtëzojë acar të fortë sidomos në viset kontientale duke mos qenë imune as disa vise mesdhetare. Në viset malore në Mal të Zi temperatura minimale mund të ulet deri në -20 gradë Celsius. Acar i ftohtë pritet në të gjitha viset kodrinore-malore të rajonit. Gjatë ditës priten intervale kohore me diell dhe vranësira lokale.

Edhe të enjtën ftohtë, por me zbutje të acarit polar. Erërat do të fillojnë të fryjnë nga jugu dhe priten intervale kohore me diell dhe vranësira lokale. Acar pritet edhe gjatë mëngjesit të së enjtes.

Nga e premta më ngrohtë. Në Mal të Zi priten reshje lokale bore të cilat shkurtimisht mund të paraqiten edhe në veri dhe lindje të Shqipërisë. Megjithatë temperaturat do të shënojnë rritje dhe reshjet afatshkurtra do të shndërrohen në riga lokale shiu.

Për fundjavë na pret mot shumë më i butë, me erëra jugore, vranësira, intervale kohore me diell. Në Shqipëri riga lokale shiu të cilat në disa vise pritet të intensifikohen gradualisht. Riga shiu priten edhe në Kosovë, më të theksuara në Dukagjin./MeteoBallkan

Reklama