Sonte, kulmi i të ftohtit polar

Ditëve të kaluara ishte mjaft fohtë dhe me reshje bore, por temperaturat ishin pak më të larta se sot. Ndjesinë e të ftohtit e shtonin erërat e ftohta veriore, ndërsa sot kemi qetësim të erërave dhe njëkohësisht edhe temperatura pak më të ulëta.

Tërë territori i Republikës së Kosovës është nën mbretërimin e “minusit” dhe kjo vërehet fare lehtë nëse dalim jashtë në natyre ose rrugë.

Sonte normalisht pritet të jetë mjaft ftohtë, por nga mesdheu dhe perëndimi kemi afrimin gradual të masave më të “buta” ose më të ngrohta ajrore.

Nga nesër acari polar pritet të largohet nga rajoni ynë, por jo krejtësisht, ngase ende priten ngrica mëngjeseve. Gjatë ditës temperaturat pritet të kalojnë në “plus”, përpos në disa rajone ku eventualisht mund të kemi mjegull ose vranësira të ulëta dhe në këto raste temperaturat e ulëta mund të “ngujohen” më gjatë në ato rajone.

Ditëve të ardhshme na pret mot kryesisht i thatë me dominim anticiklonik, ndërsa në aspektin termik pritet të jemi mes masave ajrore më të ngrohta nga perëndimi dhe atyre më të ftohta nga lindja. Këto dy masa ajrore pritet të “luftojnë” pikërisht rreth rajonit tonë si pasojë të kemi ndryshime të shpeshta të temperaturave, por nuk pritet të kemi asnjë ekstrem dhe temperaturat pritet të luhaten rreth vlerave mesatare për këtë periudhë kohore. /MeteoBallkan

Reklama