Smajl Latifi falënderon publikisht kryeministrin Haradinaj për 1-milionëshin

Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi e ka falënderuar publikisht kryeministrin Ramush Haradinaj për vendimin që të kompensojë bujqit rahovecas me 1 milion euro për dëmet që kishte shkaktuar breshëri i vitit të kaluar në Rahovec.

Latifi, këtë vendim të Haradinajt e ka quajtur dëshmi të qasjes serioze të Qeverisë ndaj problemeve të qytetarëve.

Letra e tij e plotë;

Kur në qershor të vitit të kaluar breshëri i fuqishëm goditi Rahovecin, shumë fermerë e vreshtarë u dëmtuan shumë, të cilëve iu rrezikuan edhe bizneset e tyre bujqësore, meqë dëmet ishin jashtëzakonisht të mëdha për shkak të shkatërrimit të tërësishëm të rendimenteve që duhet të vileshin me ardhjen e verës dhe vjeshtës.

Në atë kohë, në cilësinë e kryetarit të Rahovecit vizitoja shumë fermerë të komunës sonë, të cilët shprehnin brengat e tyre të mëdha bashkë me kërkesat për kompensim. Ne nuk ishim aty vetëm për të dëgjuar hallet e tyre, por ndërmorrëm veprime konkrete dhe nisëm bisedimet me Qeverinë Haradinaj për kompensimin e mundshëm të dëmeve, ngaqë një barrë e tillë financiare ishte shumë e rëndë për buxhetin e komunës sonë.

Sot, kur ende nuk janë bërë një vit nga ato ditë, Qeveria e Kosovës ka ndarë 1 milion euro për kompensimin e dëmeve të kulturave bujqësore, duke u dhënë mbështetje të fuqishme fermerëve e vreshtarëve. Vendimi i kryeministrit Haradinaj për të ndihmuar rimëkëmbjen e bujqve të Rahovecit është, padyshim, dëshmia më serioze se kjo Qeveri ka përkushtimin e nevojshëm që t’ju shërbejë qytetarëve.

Në emër të të gjithë bujqve e qytetarëve të Rahovecit, falënderoj kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, për vendimin e marrë për t’ju dhënë mbështetjen e merituar fermerëve e vreshtarëve të komunës sonë.

 

Reklama