Skulptori nga Rahoveci Destan Gashi realizon skulpturën gjigande të Adem Jasharit në Vjenë

Çekani dhe dalta më të cilën ishte gdhendur prej muajsh guri gjigand, kishin pushuar së punuari. Skulptura prej gurit e cila në mënyrë figurative është me plis në kokë dhe me gojë të hapur, nga e cila nxjerr zjarr dhe tym heroi ynë kombëtarë, Adem Jashari është përfunduar.

Ajo tashme gjendet në oborrin e shtëpisë së skulptorit shqiptar në Vjenë, Destan Gashit. Kjo skulpturë për artistin tonë, është kryevepra e punimeve të tij të deritashme.

Të punon një skulpturë prej gurit figurën e Adem Jasharit, për Destan Gashin ishte ëndërr e kamotshme. Por, gjithmonë dëshironte diçka të re, diçka që nuk është realizuar deri më tash. Dëshironte që ai punim të kishte një mesazh, të bëhej me shpirt dhe zemër. Tonelatat dhe përmasat e gurit tregonin më së miri peshën që heroi Adem Jashari e ka në zemrën e skulptorit Gashi. Dhe, kjo u realizua. Ajo tash e disa ditë gjendet në kopshtin e tij.

Albinfo Austria vizitoi shtëpinë e skulptorit Destan Gashi në Vjenë dhe shikoi për së afërmi madhështinë e punës së realizuar.

E gjitha vepra e punuar nuk është bazuar në asnjë fotografi. Gjithçka është e lindur nga imagjinata e artistit, Destan Gashit. „Në imagjinatën time ishin ngulitur momentet e fundit të Adem Jasharit, kur ai në mënyrë figurative kishte plisin e bardh në kokë dhe kur në përballje me armikun, nxirrte tym e flakë nga goja“, thotë Destan Gashi për Albinfo Austria.

Reklama