Situata energjetike pritet të rëndohet në tri ditët e ardhshme

Gjatë tri ditëve të ardhshme do të rëndohet situata me furnizimin me energji. Një bllok i termocentralit “Kosova B” është nxjerrë nga prodhimi dhe për tri ditë do të jetë jashtë funksionit. Lidhur me situatën energjetike në vend, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka raportuar në Komisionin për Ekonomi. Ka thënë se po bëhen përpjekje që të mos ketë rritje të çmimit, porse një gjë e tillë nuk mund ta garantohet.

Një bllok i Termocentralit “Kosova B” është nxjerrë nga prodhimi dhe për tri ditë do të jetë jashtë funksionit.

Kjo pritet që ta rëndojë edhe më shumë situatën me energji elektrike në vend, ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Ekonomi.

“Sot është dashur që një bllok i ‘Kosova B’ të ndalohet për 36 orë. Në tri ditët e ardhshme do të jetë edhe më e rënduar situata me energjinë”, ka thënë ajo.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka pyetur nëse do të ketë ngritje të çmimit të energjisë.

“A mund të garantoni se nuk mund të ketë rritje të çmimit të energjisë në Kosovë. Kemi miliona euro humbje nga mospagesa e faturave të energjisë. Keni premtuar se pas gjashtë muajve, keni thënë se do të fillojë pjesa e veriut të paguajë”, ka thënë Lekaj.

Rizvanolli ka theksuar se po bëhet e pamundura që mos të ketë rritje të çmimit, porse një gjë e tillë nuk mund të garantohet.

Ajo është pyetur nga deputeti Armend Muja nëse ka raste kur KEK-u ka ndalur qëllimisht prodhimin e rrymës në blloqe.

“A mos bizneset apo sistemi këtë mundësinë e krizës po e shtyjnë edhe këta që KEK-u të reduktojë prodhimin, sepse në bazë të propozimit të KOSTT-it, del që KEK-u redukton planifikimin e prodhimit të energjisë”, ka pyetur ai.

Rizvanolli ka thënë se përflitet se ka pasur raste të caktuara që në KEK është ndalur me qëllim prodhimi i rrymës në blloqe për interesa të caktuara.

“Dikujt i konvenon që blloku të ndalet dhe të ndizet prapë, për shkak të lëndës së parë. Përflitet që ka pasur raste kur janë ndalur blloqet. Kjo si gabim apo me qëllim. Kemi pasur një dyshim që një gjë e tillë të ketë ndodhur edhe gjatë verës”, ka theksuar ajo.

Por, nga KEK-u kanë thënë për KOHËN se janë në prodhim tri njësi të “Kosovës A” dhe një njësi e “Kosovës B”. Sipas KEK-ut, pasnesër pritet që të hyjë në funksion edhe njësia tjetër e “Kosovës B”.

“Sa i përket këtij viti, ju bëjmë me dije se në këtë periudhë 11-mujore, konform bilancit vjetor të rishikuar të energjisë elektrike, ka qenë e planifikuar që të prodhohen afër 5,2 milionë MWh, ndërsa prodhimi i energjisë elektrike përgjatë periudhës së njëjtë është realizuar mbi 5,3 MWh, apo thënë në përqindje, KEK-u ka tejkaluar planin e prodhimit mbi 3 për qind. Përndryshe, nëse krahasohet realizimi me bilancin fillestar për vitin 2021, tejkalimi i planit të prodhimit është 33 për qind”, ka thënë Skënder Bucolli, zëdhënës i KEK-ut.

Ndërsa për pagesat e rrymës në veri dhe për mundësinë e krijimit të infrastrukturës për faturim në atë pjesë, ministrja Rizvanolli ka kërkuar që të raportojë në Komision pa praninë e mediave.

Gjatë ditës, Qeveria ka dorëzuar një manual sesi munden qytetarët të kursejnë energjinë elektrike.

Aty jepen këshilla që të shfrytëzohet tarifat e ulëta për përdorimin e rrobalarëses, enëlarëses dhe hekurit për hekurosje.

Një ditë më parë, ZRRE-ja ka njoftuar se ka pranuar të shqyrtojë tarifat e energjisë elektrike për të reflektuar çmimet e ngritura të importit, si pasojë e krizës globale të çmimeve të energjisë, me kërkesë të KEDS-it dhe KESCO-s.

ZRRE-ja ka bërë të ditur se, në bazë të mandatit të saj ligjor, ka vendosur të hapë procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm dhe gjatë këtij procesi do të shqyrtojë aplikacionet e të licencuarve, duke vlerësuar nevojën për vazhdim të furnizimit me energji elektrike, rritjen e efiçiencës së konsumit dhe përballueshmërinë e çmimeve nga ana e konsumatorëve.

Bëhet e ditur gjithashtu se muajve të fundit, përveç rritjes së çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike, vërehet edhe një rritje enorme e konsumit të energjisë elektrike në Kosovë.

“Kjo rezulton në rritjen e nevojës për blerje të energjisë me shumicë për mbulimin e konsumit dhe nevojat e rrjetit. Duke qenë se prodhimi vendor nuk mund të plotësojë të gjithë kërkesën për energji elektrike, paraqitet nevoja për import, që do të tejkalojë sasitë e lejuara nga ZRRE-ja gjatë shqyrtimit të rregullt tarifor. Importi shtesë paraqet edhe kosto shtesë për operatorët, të cilat nuk janë parashikuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale për vitin relevant tarifor 2021”, thuhet në njoftim.

ZRRE-ja ka njoftuar se në kuadër të këtij procesi do të bëjë analiza dhe kalkulime të bazuara në të dhënat e disponueshme dhe do të analizojë të gjitha rrethanat e krijuara në sektorin e energjisë në lidhje me kostot e sistemit, si dhe në lidhje me menaxhimin e sigurisë së furnizimit. Paralelisht do të analizohet edhe mundësia e rishikimit të strukturës së tarifave me pakicë të energjisë elektrike, me ç’rast do të shihet mundësia e aplikimit të mekanizmave të tjerë, për përmirësimin e efiçiencës së energjisë dhe të menaxhimit të kërkesës.

“ZRRE-ja do të sigurohet që shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave t’i nënshtrohet konsultimit me konsumatorët, kompanitë e licencuara, qeverinë dhe palët e tjera të interesit për të siguruar gjithëpërfshirje, transparencë dhe mbrojtje të interesave të konsumatorëve”, thuhet në njoftim.

Reklama