Si e shpëtoi Kryeministri Haradinaj Kosovën nga Hashim Thaçi

Ishte prilli i vitit 2017 kur lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, pasi që ishte kthyer nga Franca ku ishte ndaluar në bazë të një fletarresti të vjetër serb, bëri marrëveshje për një koalicion qeverisës me PDK-në, Nismën e dhjetëra parti të tjera, koalicion që i fitoi zgjedhjet nacionale të qershorit të po atij viti dhe sot qeverisë Kosovën. Atëkohë, dëshpërimi me Haradinajn dhe partinë e tij ishte i madh pasi që qytetarët ishin lodhur nga partia e Hashim Thaçit e Kadri Veselit dhe kërkonin rrëzimin e saj nga pushteti.

Editorial i RAHOPRESS

Të gjithë besonin se me Haradinajn do të ngjajë ashtu siç ngjau me Mustafën dhe paraardhës tjerë të LDK-së, ku Thaçi i kontrollonte me lehtësi, përkundër se për të qëndruar në pushtet duhej t’i joshte me poste të larta në Qeveri, përfshirë edhe postin e kryeministrit. Dëshpërimi me Haradinajn ishte më shumë i lidhur me faktin se PDK-së po i jepej edhe një shans në pushtet real, se sa për koalicionin e lidhur me një parti që në opinion perceptohet si një organizatë e rrezikshme kriminale.

Megjithatë, pak muaj pasi që u shafitën gjërat, dhe Qeveria nisi së funksionuari, Thaçit dhe partisë së tij nisën t’i dalin probleme me kryeministrin Haradinaj. Qëllimet e tyre politike jo çdoherë ishin në përputhje me agjendën qeverisëse të Kryeministrit Haradinaj. E sidomos jo qëllimi i rrezikshëm i Presidentit Thaçi, i cili çdoherë e më shumë, përmes konferencave të shpeshtuara, analistëve e mediave të ndikuara të cilëve u bënte favore financiare, nisi ta normalizojë idenë për shkëmbim territoresh me Serbinë.

Ky është momenti kryesor i thyerjes së Haradinajt me Thaçin, e pashmangshmërisht edhe me kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli. Kryeministri Haradinaj në qetësi, nisi angazhimet e para për t’ia dështuar idenë e rrezikshme presidentit Thaçi, e cila derivonte nga kushedi çfarë takimesh e marrëveshjesh me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Kryeministri Haradinaj, duke krijuar linja të reja komunikimi me zyrtarë të lartë amerikanë, gjermanë e britanikë, filloi t’i vetëdijesojë ata se ideja për shkëmbime territoriale nuk sjell paqen e shumëkërkuar nga ana e tyre, por rrënimin e atij stabiliteti që ishte arritur me mund nga superfuqitë perëndimore deri në këtë kohë.

Krejt kjo erdhi pasi që Thaçi tashmë kishte derdhur para të majme, duke financuar lobues të shtrenjtë ndërkombëtarë për t’i bindur perëndimorët se ideja e tij dhe presidentit Vuçiq ishte ajo që do të sjellte rehatinë në Ballkan. Ndërkohë që terrenin e krihte edhe nga brenda, duke financuar analistët e mediat që t’ia mbështesin idenë, ose të paktën që të mos ia sulmonin, ngase ishte vërtetë e vështirë mbështetja e një ideje të tillë anti-kombëtare. Haradinaj, në jo pak raste pati ngritur shqetësimin se prejardhja e këtyre parave ishte nga Rusia.

Në krejt këtë mes kryetari i PDK-së Kadri Veseli e gjeti veten të hutuar, dhe qëndrimet e tij ishin konfuze. Shpesh deklarohej që nuk e mbështetë një ide të tillë, duke e quajtur “ide serbe”, por në ballafaqim të drejtpërdrejtë me Thaçin nuk binte asnjëherë, duke e ruajtur jaraninë e vjetër që ka me të.

Ndërkohë, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti nisi përgatitjet për një protestë që doli të jetë madhështore. Më 29 shtator të vitit 2018, Lëvizja Vetëvendosje me mbështetjen e pak deputetëve të VV-së dhe disa anëtarëve të shoqërisë civile mbajti protestën me moton “Një popull s’i nënshtohet një njeriu”.

Vetëvendosje akuzoi Presidentin Thaçi se veprimet e tij mund t’ia falnin Serbisë Ujmanin e Trepçën, dy asete të çmueshme natyrore të Kosovës. Vetëvendosje, edhe pas protestës vazhdoi me konsistencë kundërshtimin e kësaj ideje, duke paralajmëruar protesta të reja poqëse synimet e Thaçit shënojnë përparim. Në ditën e protestës, Thaçi bëri një veprim dëshpërues, shkoi në Liqenin e Ujmanit për herë të parë nën përcjellje të rrepta policore e prani të madhe mediale. Natyrisht, nuk foli për protestën ku morën pjesë dhjetëra-mijëra qytetarë të vendit.

Duke e parë vendosmërinë e Thaçit, i cili nuk ndalej në synimet e tij, ngaqë nuk ishte mësuar të ndalet më parë, Kryeminsitri Haradinaj vendosi taksë doganore ndaj produkteve serbe, fillimisht 10 për qind e më pas 100 për qind, duke e detyruar Serbinë që në shenjë proteste të tërhiqej nga dialogu. Kjo i prishi në masë të madhe hesapet e presidentit Thaçi me Vuçiqin dhe ishte goditja e parë strategjike që iu dha atij.

Thaçi u tronditë nga fakti se dikush po e kundërshtonte dhe pengonte kaq shumë dhe në konferencat e tij, që dikur u bënë qesharake, me një nervozë e parehati emocionale, nisi ta kërcënojë me rrëzim Haradinajn. Por as kjo nuk kryente më punë, ngase Haradinaj shprehej i gatshëm që të shkonte në zgjedhej nëse partnerët e tij të koalicionit e duan këtë gjë.

Goditja tjetër e rëndë që iu dha presidentit, ishte kur që të dy, Thaçi e Haradinaj, fluturan drejt SHBA-së, për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Atje takuan liderë të fuqishëm amerikanë, dhe që të dy kishin shkuar të ndarë në qëllimet e tyre si kurrë më parë. Haradinaj tashmë kishte nisur të sensibilizojë establishmentin amerikan se ideja e shkëmbimit të territoreve ishte e gabuar dhe antishqiptare. Ai atje ishte pritur me nderime të larta nga udhëheqësit amerikanë.

Por, edhe pas kësaj, Thaçi nuk ndalej dhe kishte vjerrë shpresat për kashte se ende nuk kishte përfunduar. Ai filloi një luftë të brendshme me Haradinajn, duke ia kërkuar heqjen e taksës, bashkë me PDK-në e Veselit, me pretekstin se kështu kërkon SHBA-ja. Megjithatë, qëllimi ishte që t’i hapej rruga rikthimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast do të vazhdonte angazhimin për jetësimin e idesë së tij. Teksa i bënin presion Haradinajt për heqjen e taksës, përdornin metoda të ndryshme. Kishim rastin që të shohim edhe një fabrikim qesharak të një lajmi, kinse forcat amerikane do ta braktisinin kampin Bondsteel poqëse nuk hiqej taksa. Haradinaj nuk u dyndë asnjëherë dhe taksa mbetet edhe në fuqi ende dhe sot askush nuk bën ndonjë presion për ta hequr.

Goditja e fundit, që e varrosi misionin e Thaçit, ishte Konferenca e Berlinit, ku në prani të liderëve gjermanë e francezë, Haradinaj tregoi vendosmërinë e tij që një gjë e tillë të mos i ndodh Kosovës, që të mos ndahet në pazaret me Serbinë, ngase këto veprime mund të sjellin vetëm luftra. Nga ajo konferencë të dëshpëruar thellësisht dolën Thaçi e Vuçiq, e po ashtu edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili siç u raportua ishte refuzuar ashpër nga Haradinaj pas kërkesave dhe presioneve të rënda që i kishte bërë homologut të tij nga Kosova që ta heqë taksën dhe ta mbështesë Thaçin në synimin e tij.

Sot, kur gjithçka ka përfunduar, Thaçi ka nisur të flasë për idenë e bashkimit kombëtar, me bindjen se po i jep një ultimatum BE-së për liberalizim vizash. Po ashtu, ai ka nisur një luftë edhe me Sali Berishën, duke i bërë një favor Edi Ramës, ndërsa Edi Rama herë pas here ngacmon Haradinajn si kundërfavor për Hashim Thaçin.

Reklama