Si bien njerëzit pre e mediave dhe lajmeve të rreme

Për shkak të përhajpjes së madhe të mediave dhe ndikimit të madh të tyre, shpeshherë njerëzit bien pre e lajmeve të rreme duke besuar çdo gjë që shkruhet nëpër media. Ky ndikim i  madh i mediave dhe besueshmëria që kanë njerëzit po keqpërdoret për interesa të ndryshëm.

Shkruan: Florentina HOTI

Por çka janë lajmet e rreme?

Fake News, tashmë te ne të njohur si lajme të rreme, është një informacion i fabrikuar dhe publikuar me qëllimin për të mashtruar dhe ç’orientuar të tjerët me besimin e gënjeshtrave ose në dyshimin e fakteve të verifikueshme. Pra është një lloj propagande që përfshinë çdo informacion të gabuar, të rremë ose të sajuar që shpërndahet nëpërmjet gazetave ose mediave sociale online.

Këto lajme po konsiderohen fenomen shqetësues në rritje në Kosovë, nga Komisioni i Pavarur i Mediave, Këshilli për Mediat e Shkruara të Kosovës, por edhe nga vetë gazetarët, sipas të cilëve verifikimi i informatave është problem kryesor me të cilin po përballen mediat online dhe vetë ata.

Problem tjetër, përveq së pavërtetës që bartin më vete ato lajme, është edhe ndikimi i madh që ato lajme kanë mbi njerëzit. Sipas drejtorit të shkollës së medias të Universitetit “George Washington”, Frank Sesno, mediat sociale janë versioni modern i fqinjëve që bëjnë thashetheme në lagje, por me ndikim shumë më të gjerë.

Pra ashtu si thashethemet, edhe lajmet përbëjnë një ndikim mbi njerëzit sepse u japin material mbi atë që ata duan të dëgjojnë dhe pastaj pa e verifikuar se a janë apo jo të vërteta ata fillojnë t’i shpërndajnë ato tek të tjerët, dhe të kënaqin egon e tyre.

“ O ky mendon per shtet ky a legjend qe moti ju ka dasht kosoves te lumt kryeminister”.

Këto janë fjalët e një qytetari të Kosovës, të cilat janë bërë si koment në një lajm të portalit satirik Kungulli.com. Ky lajm flet kinse se si Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, refuzon hotelin luksoz dhe shkon të fle tek tezaku i Glauk Konjufcës në Mynhen, gjatë një takimi pune jashtë vendit.

Por sa është i vërtetë lajmi, a ka burime e madje edhe faktin që ky portal është një portal satirik, ky lexues ka lënë anash dhe ka vazhduar me lavdërimet për Kryeministrin e Kosovës sepse ky lajm ka qenë ajo çfarë ai, dhe shumë njerëz të tjerë të cilët kanë reaguar mbi këtë lajm, kanë dashur të dëgjojnë.

Lajmet satirike vëjnë në pah me anë të ironisë së hidhur e therëse dhe të sarkazmës, të metat, veset e anët e tjera të dobëta të njerëzve apo të shoqërisë, gjë që ka ndodhur me këtë lajm dhe me të gjithë lajmet që publikojnë portalet satirike.

Mirëpo ky fenomen nuk po ndodh vetëm viteve të fundit, lajmet e rreme ekzistojnë pothuajse prej që ekziston vetë bërja e gazetarisë apo shpërndarja e informacioneve. Sot, termi ‘Fake News’ ka marrë vëmendjen vetëm për shkak të rrjeteve sociale të cilat arrijnë të shpërndajnë informacionet, të vërteta dhe ato të pavërteta, në një kohë shumë të shkurtër anembanë botës.

Marrim shembull zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA, në të cilat fitorja e presidentit Donald Trump u arrit pikërisht nga lajmet e rreme të cilat u shpërndanë nga rrjetet sociale.

Madje shembulli më i vjetër dhe më praktik mbi këtë qështje është Kali i Trojës, ku Uliksi gënjeu se Kali i drurit të cilin e solli ishte dhuratë paqeje e cila në të vërtetë nuk ishte ashtu.

Megjithatë, sipas disa hulumtumtimeve të hulumtuesve Wardle dhe Derakshan ekzistojnë katër faktorë motivues për prodhimin e lajmeve të rreme.

I pari është faktori financiar në të cilin përfitojnë nga lajmet e rreme përmes reklamave, së dyti është faktori politik me anë të të cilit ndodh diskreditimi i një kandidati politik në zgjedhje dhe tentative të tjera për të ndikuar tek opinion publik. Më pas është faktori social me anë të të cilit bëhet lidhja me një grup të caktuar në internet apo jashtë tij, dhe në fund është cekur faktori psikologjik i cili motivon për kërkimin e prestigjit apo forcimit të pozitave.

Pra, përderisa vetë interneti konsiderohet si një hapësirë e lirë për t’u shfrytëzuar nga njerëzit pa pengesë, ndalimi i shpërndarjes së informacioneve në çfarë do forme, mund të konsiderohet si pengesë e lirisë së shprehjes. E meqë kjo formë nuk duhet ndodhë në vendet demokratike, e vetmja mënyrë që t’i shmangim lajmet e rreme është të dimë si të mbrohemi nga to. Më poshtë janë paraqitur këshilla që na ndihmojnë të mbrohemi nga lajmet e rreme:

-Shqyrtojeni burimin e informacionit (shiko për sfondin ose historinë e tregimit dhe vendin e ngjarjes);

-Kush është autori i lajmit ( bëjeni një kërkim të shpejtë për autorin, a është i besueshëm a është i vërtetë ai);

– Shiko datën e publikimit të lajmit ( nëse lajmi është i vjetër, ai nuk është i rëndësishëm për ngjarjet aktuale);

-Lexo të gjithë lajmin/ raportin ( shpesh ne lexojmë vetëm titujt e lajmeve?! Por, titujt dhe nëntitujt mund të jenë mashtrues, shiko ngjarjen komplet siç është pasqyruar);

-Kontrollo burimet e informacionit (shqyrto burimet mbështetëse, sa është mbështetur rrëfimi/ tregimi mbi ato burime);

-A është lajmi me përmbajtje satirike (në ditët e sotme, ueb faqet me përmbajtje satirike janë shtuar, kujdes mos bini pre e tyre);

-Pyet njohësit e fushës (në fund, para se ta marrësh një lajm si të mirëqenë, por për të cilin nuk je i sigurt, atëherë pyet ekspertet e asaj fushe për të cilën ke lexuar).

-Andaj, pasi që jemi duke kaluar një periudhë jo të zakonshme dhe virusi COVID-19 ka përfshirë gjithë botën, njerëzit duan të informohen se çfarë po ndodh ndërsa informacionet e rreme, numrat jo real të viktimave dhe mënyrat e ndryshme se kinse si  të mbrohemi nga ky virus po qarkullojnë ngado dhe vetëm sa po përhapin panikë. Prandaj, nëse secili nga ne u përmbahet këtyre këshillave se si të mbrohemi nga Fake News, rastet ku njerëzit bien pre e këtyre lajmeve dhe mediave, do të uleshin dukshëm.

Florentina Hoti është studente e vitit të parë të gazetarisë në Universitetin e Prishtinës

 

 

Reklama