Shtyhet fillimi i vitit të ri shkollor

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka konfirmuar se është shtyrë fillimi i vitit të ri shkollor, pas një takimi që kryetarët e komunave kanë mbajtur me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, të premten. Sipas një njoftimi për media, Vitia i ka njoftuar kryetarët e komunave se mësimi s’do të fillojë deri më 13 shtator dhe atëherë do të rivlerësohet situata.

Vendimi vjen si pasojë e rritjes së rasteve të reja me koronavirus në vend. Në mesin e të infektuarve është përfshirë ndjeshëm edhe grupmosha 10-20-vjeç, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas njoftimit, MSH-ja ka njoftuar edhe për masat e reja që do të merren. Aty përfshihet kufizimi i punës për gastronominë, kthim të kufizimit të lëvizjes e punë nëpër institucione vetëm me staf esencial.

Masat që AKK-ja thotë se i ka prezantuar Vitia:

– Mësimi nuk fillon deri më 13 shtator dhe atëherë të rivlerësohet situata.

– Gastronomia do të punoj vetëm deri në ora 21:30 dhe vetëm në ambiente të jashtme.

– Do të ketë kufizim të lëvizjes nga ora 22:00 deri ora 5:00.

– Do të rekrutohen 1116 personel shëndetësorë dhe inepsketues për të fuqizuar betejën e kundër kësaj pandemie.

– Komunat në shkallë 92% sipas kërkesave të tyre janë furnizuar me barna esenciale.

– Në fillim të shtatorit do të mbërrijnë edhe 470 mijë vaksina përmes Covax.

– Deri me 13 shtator do të punohet vetëm me staf esencial nëpër institucione.

Në anën tjetër, kryetarët e komunave kanë kërkuar shtimin e qendrave të vaksinimit, numrit të inspektorëve për respektim masash e që rekrutimi i stafit shëndetësor të decentralizohet te komunat. Megjithatë, si përgjigje, AKK-ja thotë se ministri i Shëndetësisë ka thënë se “numri i të vaksinuarve bëhet në proporcion me numrin e vaksinave që shteti ynë ka në dispozicion”.

Një ditë më herët, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e la të hapur mundësinë e shtyrjes së fillimit të vitit të ri shkollor, por u shpreh se për një gjë të tillë duhet të merret rekomandimi i ekspertëve shëndetësorë.

Reklama