Shtrenjtohet shporta e qytetarëve, dyshime për abuzim me çmime nga tregtarët

Çmimet e produkteve elementare kanë vazhduar të shënojnë rritje ditëve të fundit. Pas rritjes së çmimit të hekurit, ka rritje edhe të çmimit të naftës, grurit, vajit, kafes, sheqerit e bukës. Ekonomistët shfaqin dyshime për keqpërdorim nga tregtarët, ndërkohë nga OEK-u thonë se rritja e çmimeve është e ndikuar nga varësia që ka vendi nga importi.

Qytetarët e Kosovës po përballen me valë të rritjes së çmimeve të produkteve elementare. Pas rritjes së çmimeve të hekurti, tani është rritur çmimi i naftës, grurit, vajit, kafes, sheqerit e bukës. Tregu kosovar i varur kryesisht nga importet i është ekspozuar tërësisht rritjes së çmimeve, duke varfëruar shportën e konsumatorëve.

Edison Jakurti, njohës i ekonomisë, shpërfaq dyshimet për keqpërdorim të çmimeve nga tregtarët.

“Çmimet po bëhen problem i madh për qytetarët e do të jenë edhe më shumë problem nëse do të ketë edhe rritje të çmimit të energjisë, siç po flitet. Ka hapësirë të madhe këtu për punën e Inspektoratit të Tregut, Departamentit të Mbrojtjes së Konsumatorit, dhe të gjitha institucioneve të tjera që mund të ndikojnë në parandalimin dhe dënimin e atyre tregtarëve që bëjnë keqpërdorim me çmime”, thotë ai.

Inflacioni në shator 2021 krahasuar me shtator 2020, sipas ASK-së, është 4.9 për qind. Por Jakurti thotë se arsyetimi se inflacioni është importuar nga vendet e BE-së nuk është plotësisht i vërtetë, pasi ka dallim mbi 44 për qind në rritje.

“Sërish rritja më e madhe në më shumë se një dekadë. Për të njëjtën periudhë, pritjet për inflacion në eurozonë janë 3.4%. Për shkak se BE-ja është partneri kryesor tregtar i Kosovës, ky krahasim është i rëndësishëm. Sepse rritja e çmimeve në Kosovë po arsyetohet me inflacion të importuar. Dallimi mbi 44% në rritje është indikator që ky arsyetim nuk është plotësisht i vërtetë”, ka thënë ai.

Një ditë më parë edhe Shoqata e Mullisëve të Kosovës ka paralajmëruar se do të ketë rritje të çmimeve të bukës, shkaku i rritjes së çmimit të miellit për 15 për qind.

Për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, rritja e çmimeve është edhe shkak i mungesës së lëndës së parë.

“Nuk besoj që do të arrijmë ndonjëherë që të kemi grurë të mjaftueshëm për ta zgjidhur këtë problem për shkak të rrethanave që kemi dhe thatësisë. E mora shembull grurin për të treguar këtë problem që e kemi dhe çmimet e lëndës së parë që kemi. Kosova nuk ka kapacitete, është çështje e importit, por megjithatë ka produkte të tjera që tek tani kanë filluar që të marrin veten”, ka theksuar ai.

Edhe nafta ka shënuar një rritje të çmimeve gjatë ditëve të fundit, duke bërë që të ketë edhe rritje të çmimeve të transportit.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, thotë se rritja e çmimeve është e përcaktuar nga bursa dhe nga organizata OPEC.

“Dihet se çmimet në Kosovë sillen prej 1.16 disel deri në 1.20, ndërsa benzina 1.18 deri 1.25. Këto janë çmimet për momentin dhe nuk e përcaktojnë tregtarët e Kosovës, por bursa dhe OPEC-u. Ka reduktim të prodhimit dhe në momentin që ka reduktim të prodhimit, ka rritje të çmimeve”, ka thënë ai.

Sipas tij, rritje të çmimeve ka çdo ditë me shumicë, por jo edhe me pakicë.

“Shpresojmë që OPEC-u të shtojë prodhimin dhe të ulen çmimet. E kuptojmë që çmimi është i lartë, por këto imponohen nga berza”, ka thënë ai.

Rritjen e çmimeve e ka paralajmëruar edhe Banka Botërore në raportin e saj të fundit.

Tashmë vendet e rajonit dhe ato të Evropës kanë filluar të përballen me rritje të çmimeve të energjisë elektrike. Kjo ka ndikuar edhe tek 4 kompanitë e mëdha prodhuese në Kosovë që janë vetëfurnizuese të energjisë.

Reklama