Shtatori sjell freskinë pas vapës së gushtit

Java e parë e Shtatorit do të na sjellë mot të freskët krahasuar me ditët e fundit të muajit Gusht ku po përjetojmë ditët më të nxehta të kësaj vere në Kosovë.

Sot na pret mot i ngjashëm sikurse dje, me diell dhe shumë i nxehtë, kurse të martën do të kemi një front të dobët të ftohtë ajror i cili nga perëndimi do të depërtojë në drejtim të rajonit tonë duke kushtëzuar ulje të temperaturave dhe vende-vende edhe rrebeshe të lokalizuara shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Të mërkurën në tërë rajonin pritet mot më i freskët, por i këndshëm veçanërisht në bregdet, ndërsa në viset kontinentale do të jetë freskët. Nuk priten reshje atmosferike.

Nga e enjta përsëri temperaturat do të fillojnë të rikuperohen, por nuk pritet nxehtësi e madhe. Për shkak të lagështisë relative të ajrit në nivele të larta pritet të jetë zagushi gjatë ditës.

Pra, në fund të themi se gjatë kësaj jave na pret mot i ndryshueshëm. Ulja e temperaturave do të ndjehet nga e marta, por nga fundjava përsëri priten ngritje të temperaturave, megjithatë moti nuk do të jetë shumë i nxehtë dhe stabil sepse në disa rajone priten zhvillime të vranësirave të cilat do të kushtëzojnë rrebeshe të lokalizuara shiu me vetëtima dhe bubullimë. Reshjet nuk pritet të jenë të mëdha, por nuk përjashtohet mundësia që ndonjë stuhi të zhvillohet dhe të prodhojë reshje të konsiderueshme për një kohë të shkurtër në ndonjë rajon.

Ishin këto disa fjalë për motin gjatë javës së parë të Shtatorit dhe ndryshimet janë të mundshme për shkak të gjendjes mjaft të komplikuar sinoptike.Nëse do të ketë ndryshime në parashikim ne do ju njoftojmë në postimet tona të përditshme./Meteoballkan

Reklama