Shtatë të arrestuar për 400 kg drogë me vlerë 20 milionë euro

Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë mbajtur konferencë për media pas konfiskimit të 400 kilogramëve të substancave narkotike të llojit kokainë, ku është bërë e ditur se janë arrestuar shtatë persona.

Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi ka thënë se me urdhër të Prokurorisë Speciale dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës autoriteteve italiane dhe atyre të Shqipërisë, janë konfiskuar 400 kg kokainë, vlera e të cilës arrin 20 milionë euro.

Ai ka thënë se janë sekuestruar gjithashtu të holla, vetura dhe gjëra të tjera.

Lumezi ka thënë se gjatë fazës së hetimeve janë përdorur masa të fshehta, ku janë përcjellë narkotikët nga Brazili.

Ai ka thënë se puna e përbashkët ekipore dërgon porosi të qarta te grupet kriminale se do të përballen me Policinë.

“Kemi bashkëpunuar me partnerët tanë. Kjo jo vetëm që ishte sfidë por edhe detyrim për ta luftuar krimin e organizuar”, ka thënë ai.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Sabedin Mehmeti, ka thënë se ka pasur bashkëpunim me autoritetet italiane për përcjelljen e kësaj dërgese.

Ai ka thënë se janë arrestuar shtatë persona dhe disa të tjerë janë në kërkim.

Mehmeti ka thënë se institucionet e tri shteteve përfshirë edhe ato të Shqipërisë janë koordinuar mes vete. Ai ka deklaruar se dërgesa në Kosovë ka ardhur më datë 15 maj duke shtuar se palët sot kanë filluar aktivitetin kriminal për tërheqjen e saj.

“Policia ka arrestuar personat e dyshuar. Prokurori i rastit ka autorizuar bastisjen edhe disa lokacioneve tjera. Dërgesa kishte destinacion edhe shtete të tjera. Deri më tani janë arrestuar shtatë persona shtetas kosovarë. Janë konfiskuar edhe telefona, vetura edhe një armë. Policia e Kosovës është në kërkim edhe të disa të dyshuarve tjerë”, ka thënë ai.

Mehmeti ka thënë se operacioni është duke vazhduar dhe mund të ketë të arrestuar dhe bastisje të tjera.

Sipas tij, momentalisht të arrestuar janë vetëm shtetas të Kosovës.

Reklama