Shoferi që shkaktoi vetaksidentin e rëndë tek ‘Ura e Fshajtë’ humbi kontrollin mbi veturën, një 19-vjeçar këputi dorën

Gazeta Sinjali sot raportoi për një vetaksident të rëndë trafiku që ndodhi orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Fshaj të komunës së Gjakovës. Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar tre persona, përfshirë shoferin që dyshohet se shkaktoi aksidentin.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Spitalit Rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë kanë bërë të ditur se tre të rinjtë janë dërguar atje me lëndime trupore, ku shoferi  është liruar pas tretmanit mjekësor, ndërsa një tjetër është hospitalizuar në repartin e Kirurgjisë për trajtim të mëtutjeshëm.

E lëndime më të rënda mori një 19-vjeçar që ishte pasagjer në veturën e cila u shkatërrua plotësisht nga aksidenti. Sinjali mëson se ai është transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për shkak se ka këputur njërën dorë.

Ndërkohë burimet bëjnë të ditur se aksidenti ka ndodhur si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës, duke bërë kështu që shoferi të humbet kontrollin mbi veturën dhe të përplaset në anët mbrojtëse të Urës.